Sport
Interesim i zbehtë për ndeshjen historike të Ballkanit, rreth tre mijë bileta janë shitur deri më tani kundër Cluj
Demokracia
17:11 | 06 Shtator 2022

Share:

Interesimi për të parë nga afër ndeshjen e parë të Ballkanit në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës kundër ekipit rumun, CFR Cluj nuk duket të jetë i lartë nga tifozët, kur kanë mbetur edhe dy ditë deri në ndeshje, raporton Demokracia.com.

Kjo bazuar në të dhënat që ka Demokracia.com nga sajti online ku mund të blihet një biletë për këtë përballje që luhet të enjten nga ora 18:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Deri në publikimin e këtij artikulli, në sajti “Kosovo.tm.vivaticket.com” janë blerë rreth 3 mijë e 156 bileta nga 13 mijë e 500 sa ka kapacitet stadiumi në kryeqytet për tifozë.

Sektori me më së shumti bileta të blera është L2 me 656 sosh.

Biletat për këtë sfidë historike të kampionëve të Kosovës kanë dalur në shitje online prej disa ditësh, ndërsa për çmimet e tyre është kritikuar jo pak klubi, të cilët gjithashtu dolën edhe me një sqarim në faqen zyrtare.

Çmimet e biletave për takimin Ballkani – Cluj fillojnë nga 5 euro për sektorin Veri dhe Jug, duke vazhduar në Lindje me nga 10 euro, Perendim 15 euro, për t’u ndalur në shifrën prej 50 euro për zonën VIP.

“Portokallezinjtë” kishin njoftuar më 1 shtator se një person mund të blejë gjashtë bileta.

Ballkani bën pjesë në Grupin G me Clujin e Rumanisë, Slavia Pragën e Republikës së Çekisë dhe Sivassporin e Turqisë.

Për t’u pajisur me një biletë mund të klikoni KËTU./Demokracia.com/

Të ngjashme