Përdhunimi dhe trafikimi i një vajze të mitur 11-vjecare nga 5 burra ngriti në këmbë shoqërinë kosovare.
Mijëra qytetarë të Kosovës protestuan para institucioneve, duke kërkuar mbrojtje për gratë e vajzat dhe përgjegjësi për rastin që tronditi mbarë vendin.
Por, në krye të protestës kishte edhe njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje, që madje e harruan edhe qëllimin e daljes, shkruan Demokracia.com.
Një moment që la shije të hidhur ishte kur një grua që ishte në ballë të protestës i shanë me nënë disa policë, që përkujdeseshin për mbarëvajtjen e protestës.
Demokracia.com mëson se gruaja, e cila i shau policët dhe përdori terme raciste ndaj tyre është regjisorja Arlinda Morina, e cila ishte edhe kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Prishtinës në zgjedhjet komunale të vitit 2021.
Ajo në rrjetet sociale, po ashtu, ka statuse ku e tregon mbështetjen dhe simpatinë për kryeministrin Albin Kurti dhe bashkëshorten e tij.
Pas publikimit të rastit, Demokracia.com zbuloi se vajza e mitur edhe më parë kishte qenë viktimë e trafikimit.
Megjithatë, duket se ky rast po përdoret mjaft shumë politikisht nga Qeveria Kurti për “kusuret” e saj dhe kapjen e institucioneve.
Pas dështimit të Policisë për ta mbrojtur viktimën, si akt moral u tha që dha dorëheqje edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Samedin Mehmeti, si dhe u larguan disa komandantë, por pushteti në emër të këtij rasti menjëherë i instaloi njerëzit e vet, pavarësisht që të avancuarit ishin ndër përgjegjësit kryesorë që e kishin neglizhuar trafikimin e së miturës.
Albin Kurti më pas nëpërmjet një statusi sulmoi Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorial të Kosovës.
Megjithatë, përveç që shiti moral, Kurti nuk mori asnjë hap për ta shkarkuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.
Ai tha se edhe gjyqtarët e prokurorët duhet të japin dorëheqje lidhur me këtë rast, por në të njëjtën kohë në Polici u avancuan dy njerëzit kryesorë që nuk arritën t’i ofrojnë mbrojtje viktimës 11-vjeçare.
Pushteti i Kurtit e bëri Fehmi Xhatën, Drejtor Rajonal të Policisë për Rajonin e Prishtinës, i cili në kohën kur ka ndodhur trafikimi i vajzës ka drejtuar pikërisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, që po merrej me rastin e keqpërdorimit seksual që i ishte bërë të miturës që nga muaji qershor, porse nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim për mbrojtjen e saj.
Ndërsa, majorin Bekim Bislimin e bëri Drejtor të Operativës në Prishtinë, i cili deri tash e ka drejtuar Stacionin e Veriut, ku dy herë radhazi ishte denoncuar rasti i të miturës.
Pas krizave që e kanë kapluar vendin, Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje duket se përmes ndjeshmërisë së këtij rasti dhe përdorimit politik të tij, po mundohen ta “turbullojnë” debatin publik dhe ta hedhin fajin tek të tjerët. /Demokracia.com/