Lajme
Kurti bëhet sikur nuk i sheh grevat, mundohet të blejë paqen sociale me nga 50 euro “ndihma”
Demokracia
11:39 | 03 Shtator 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti sot gjatë një konference për media sillej sikur në Kosovë nuk po ndodh asgjë, gjersa dhjetëra mijëra punëtorë janë në grevë dhe nuk i kanë marrë pagat.  

Kurti, në një konferencë për media të shtunën ka prezantuar pakon e re financiare me të cilën ka thënë se Qeveria po mundohet t’u ndihmojë qytetarëve për të përballur më lehtë inflacionin.

Ai duke dashur të blejë paqen sociale njoftoi se nga shtatori do të ndahen nga 50 euro për zyrtarët publikë, ndërsa do të ketë pagesë të njëhershme prej 100 euro për punëtorët e ndërmarrjeve publike.

Kurti tha se nga shtatori po ashtu pritet të subvencionohet energjia elektrike për të gjithë ata që kursejnë. Do të subvencionohet dyfish fatura, për muajt në të cilët qytetarët do të shpenzojnë më pak se në muajt e njëjtë të vitit të shkuar.

Në  kuadër të kësaj pakoje ai ka thënë po ashtu se familjet me asistencë sociale do të mbështeten me dyfishim të shumës së asistencës për një muaj.

Kurti u shpreh edhe mbështetje të bizneseve që rrisin pagat e punëtorëve “duke subvencionuar 50 për qind të rritjes së pagës për punëtorë, maksimumi 100 euro për tre muajt e parë”.

Ai tha se në nëntor pritet të ndahen edhe nga 100 euro për studentët.

“Do të ndajmë rreth 150 milionë euro për pakon për përballje me inflacion”, ka thënë Kurti.

Punëtorët e sektorit publik tashmë janë në grevë qe një javë. Ata kanë kërkuar nga 100 euro shtesë në muaj deri në miratimin dhe hyrjen në fuqi të Ligjit të Pagave.

Të ngjashme