Parulla sot mbanin edhe vajzat e vogla, para institucioneve, të cilave u kërkohej llogari për moshataren e tyre të dhunuar nga pesë burra. Krerët e shtetit nuk u panë, por thirrjet që s’ndaleshin sot në protestë, patjetër që janë dëgjuar brenda objekteve ku mund të kenë qenë ata.
Pak minuta para orës 12, nga të gjitha rrugët e Prishtinës, qytetarët ishin nisur në një drejtim. Do të mblidheshin në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku është thirrur protesta, pas dhunimit të një 11-vjeçareje nga pesë persona, të shtunën në Prishtinë.
Protesta ishte masive, me gra, burra e fëmijë që marshuan për disa orë në kryeqytet.
Ndalesa e parë ishte Ministria e Drejtësisë. Nga ngjyra e kuqe qe hodhën organizatorët, në dyert e kësaj ministrie mbeten shenja, që dukeshin si të duarve të gjakosura.
Kësaj radhe para ministrisë që e drejton vetë, nuk protestoi ministrja Albulena Haxhiu. Organizatorët kishin privuar pushtetarët nga pjesëmarrja në protestë.
Fillimi i turmës protestuese kishte arritur te Pallati i Rinisë, e fundi i saj ishte në rrugën nga hotel “Grandi”. Parulla kishte të llojllojshme, kryesisht thirrje e akuza shtetit. Ato i mbanin të moshuarit, fëmijët, gratë dhe burrat.
Protestuesit më pas u ndalen te Prokuroria e Shtetit, që është pak metra larg monumentit “NEW BORN” në kryeqytet. Protestuesit, para secilit institucion i prisnin policët, që i kishin mbyllur dyert me trupat e tyre.
Edhe aty u hodh ngjyrë – kësaj radhe edhe mbi policët që e ruanin derën e Prokurorisë. Pati edhe tym, por jo dhunë a ndonjë përplasje.
Më pas protestuesit vazhduan përgjatë rrugës “Luan Haradinaj”. Patjetër që do të ndaleshin para stacionit kryesor të Policisë në Prishtinë. Ky stacion është destinacion i pothuajse të gjitha protestave për vrasjet e dhunimet e grave, të cilat nuk u mbrojtën nga shteti, as kur policia ishte paralajmëruar e lajmëruar.
Prej të parëve që arritën para derës së Policisë, ishte edhe një vajzë e vogël me parullë në dorë, mbi supet e një gruaje. Përballë kishte policët, ndaj të cilëve ishin dedikuar parulla dhe bëheshin në kor akuza.
Ngjyrë të kuqe, organizatorët kishin edhe për Policinë.
Protestuesit vazhduan nëpër të njëjtën rrugë, drejt cakut, që ishte ndërtesa e Qeverisë së Kosovës. Përgjatë rrugës bëheshin thirrje, aq sa të dëgjoheshin nëpër zyrat e secilit institucion që gjendet përreth.
Për disa orë, kryeqyteti ishte përqendruar në zemër të tij, ku po i kërkohej llogari shtetit e po jepej përkrahje për 11-vjeçaren e dhunuar. Ishin bllokuar rrugë, e ishte ndalur qarkullimi.
Turma s’kishte arritur akoma te ndërtesa e Kryeministrisë, ndërsa trupat e shtuar të Policisë po. Sapo protestuesit arritën te Kuvendi, që është pak metra larg Kryeministrisë, dhjetëra policë vrapuan për ta mbyllur hermetikisht derën e Kryeministrisë.
“Vendosuni siç vendosemi gjithë”, u dëgjua një zyrtar policor duke i koordinuar të tjerët, sapo u dëgjua turma e protestuesve.
Në shkallët te hyrja e Kryeministrisë u vendosën edhe prijësit e protestës, të cilët u flisnin turmës. Policët prapa tyre.
Edhe në dyert e Kryeministrisë u hodh ngjyrë e u lanë shenja të duarve. Te shkallët e Kryeministri, ku janë parë edhe më herët përplasje mes protestuesve e Policisë, pati pak edhe sot.
Prijësit e protestës u përplasen me policët për hapësirën ku donin t’i adresoheshin masës. Në një fjalim, që ndërpritej herë pas here me thirrje, u kërkua që shteti t’i ndërmarrë masat për mbrojtjen e grave dhe kapjen e dhunuesve.
Organizatorët nga lart u kërkuan protestuesve që të uleshin në oborrin e Kryeministrisë, se aty do të qëndronin “deri kur nuk mundën më”.
Kohë pas kohe, protestuesit pyesnin njëzëri se “Ku është Albini [Kryeministri Kurti]”. Nuk dihet nëse brenda objektit ishte Kryeministri. Nuk doli e nuk u pa askush nga Qeveria.
Policia akuzohej për mosmbrojtje të vajzave. Policët që ruanin derën e Qeverisë, pyeteshin “ku jeni kanë t’shtunën”, (kur vajza 11-vjecare ishte marrë afër një parku në Prishtinë dhe ishte dhunuar për 7 orë).
Përveç turmës bashkërisht, akuza ndaj policëve bënin edhe protestueset ndaras.
Kur kishin kaluar më shumë se dy orë prej nisjes së protestës, shumë prej protestuesve ishin larguar. Më nuk u panë as shumë prej figurave politike që morën pjesë në protestë, përfshirë kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, me kolegë të partisë. Në protestë ishte edhe ish-Presidentja Atifete Jahjaga, krah për krah me këngëtaren Dafina Zeqiri.
Pjesa e mbetur e protestuesve u vendos në oborrin e Kryeministrisë, të ulur, sipas kërkesës së organizatorëve, që thanë se do të qëndrojnë aq gjatë sa do të mundin. Raportohet se protestuesit janë akoma aty. /Express