Lajme
Glauk Konjufca e largoi nga Kuvendi për produkte serbe, Xhelal Sveçla i jep tender milionësh kompanisë “Shqiponja”
Demokracia
19:50 | 29 Gusht 2022

Share:

Ministria e Punëve të Brendshme, që drejtohet nga Xhelal Sveçla, ka vendosur që ta shpërblejë me tender milionësh kompaninë “Shqiponja”, përkundër që vitin e kaluar Kuvendi i Kosovës ia ndërpreu kontratën asaj për shërbime në bufe, me arsyetimin se po shërbente produkte të Serbisë.

Xhelal Sveçla e Glauk Konjufca drejtojnë dy institucione të rëndësishme. Shef të përbashkët e kanë Albin Kurtin, diku si kryeministër e diku tjetër si kryetar partie.

Mirëpo, Sveçla e Konjufca duket se nuk flasin mes vete kur janë në pyetje tenderët e paratë.

Kompanisë ‘Shqiponja’ që Kuvendi i Kosovës ia kishte ndërprerë kontratën shkaku i produkteve serbe që shërbente për deputetët në bufe, ia ka dhënë një mundësi Ministria e Punëve të Brendshme, shkruan Demokracia.com.

Në ministrinë e Xhelal Sveçlës, kjo kompani që është me pronarë nga Drenasi ka marrë tender milionësh për shërbime hoteliere me ushqim e pije.

Në tenderin që është shpallur nga MPB është bërë me dije se shërbimet hoteliere – ushqim dhe pije janë ndarë në dy loto, por që loti i parë është anuluar, kursi loti dytë i është dhënë kompanisë nga Drenasi.

Vlera totale e këtij tenderi është paraparë të jetë 1 milion e 545 mijë euro.

“Shërbime hoteliere – ushqim dhe pije. Vlera e parashikuar e kontratës: 1 545 400,0. Shërbime hoteliere ushqim dhe pije –IKAP. Data e dhënies së kontratës 25.08.2022. Data e planifikuar e nënshkrimit të kontratës 29.08.2022″, thuhet në njoftimin publik, përcjell Demokracia.com.

Sipas njoftimit të bërë, kompanitë fituese do të shërbejnë me ushqim disa qendra riatdhesuese nëpër Kosovë.

“Pjesa (Llot) 1 Shërbime hoteliere ushqim dhe pije 1. Në Qendrën për Azilkërkues në Magurë të Lipjanit. 2. Në Qendrën për të riatdhesuar në lokalet e garnizonit të ish TMK-së në Tauk Bahshqe, Prishtinë. 3. Në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj në Vranidoll e nëse paraqitet nevoja edhe në lokacionet tjera. Pjesa (Lot) 2 Shërbime hoteliere ushqim dhe pije – IKAP Adresa Rr. Pavarësia, Hajvali-Prishtinë”, thuhet në këtë njoftim.

Menyja me ushqime që do të servohet është paraparë të jetë me mishra dhe pije të ndryshme.

“Mish i zier gjedhi (Gjyveq në Tavë) ose çorbë patatesh me mish gjedhi – Mish viqi 200gr për porcion, përfshihet edhe buka  ½ (250gr) Gullash me mish viqi  me pire – Mish viqi 150gr për porcion, përfshihet edhe buka  ½ (250gr). Gjellë shari me mish pule me të gjitha perimet – Mish 200 gr për një porcion, përfshihet edhe buka ½ (250gr) Shpatull Pule ose mish pule pa kockë (tulak) – Mish 250 gr për një porcion, përfshihet edhe buka ½ (250gr). Musaka, patate me mish të bluar – Mish i bluar 200gr për një porcion, përfshihet edhe buka ½ (250gr). Fasule me mish – mish viqi 150gr për porcion, përfshihet edhe buka –  ½ (250gr) Lazanje me mish gjedhi te bluar ose Makarona Bolonez me sos te Domateve – mish i bluar 100gr për një porcion, përfshihet edhe buka – ½ (250gr). Supë ditore 350 gr (viçi, pule, peshku, vegjetariane, kërpudha). Pije në kanaqe 330 ml. (coca cola, fanta, sprite, biter limon, tonik, schweeps, çaj i ftohtë ose ekuivalente). Lëngje frutash paketim qelqi 250 ml. (pjeshkë, mollë, dredhëz, dardhë, ananas, vishnje, portokall, multivitamin, etj)”.

Kompania “Shqiponja” Sh.P.K. është në bashkëpronësi të Beqir dhe Fatmir Nikës – bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve. Ata janë familjarë të Bedri Nikës, ish-deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në fundin e vitit të kaluar, përkatësisht në muajin nëntor, Kuvendi i Kosovës ia kishte ndërprerë kontratën ‘Shqiponjës’ për shërbime në bufenë e Parlamentit, nën arsyetimin se po shiste produkte të Serbisë.

Vendimi për ndërprerje të kontratës ishte nxjerrë pas paralajmërimit nga kabineti i kryeparlamentarit Glauk Konjufca për heqjen e produkteve të pretenduara serbe nga bufeja e Kuvendit. /Demokracia.com/

Të ngjashme