Lajme
Maliqi: Escobar dhe Lajçak mund të kërkojnë shtyrje të reciprocitetit
Demokracia
20:01 | 26 Gusht 2022

Share:

Analisti kosovar, Shkëlzen Maliqi, i ka komentuar për Gazetën Insajderi takimet e fundit që emisari amerikan dhe ai evropian i kanë pasur me krerët e shtetit të Kosovës, dhe atij të Serbisë.

“Dy emisarët po përpiqen që të gjejnë zgjidhje për momentin e krizës së përsëritur më 1 shtator, që të mos ndodh ekskalimi. Për dallim nga 1 gushti kësaj here kemi mobilizim të plotë të ndërkombëtareve”, ka thënë Maliqi.

“KFOR-i, që është forcë e NATO-s ka paralajmëruar serbët në Veri se nuk do të lejojnë vendosjet e barrikadave, kurse emisarët Lajçak dhe Escobar kanë bërë presion te Kurti e tanii edhe te Vuçiqi që të gjejnë një zgjidhje simetrike rreth targave dhe dokumenteve për kalimin e kufirit”, ka thënë tutje Maliqi.

Ai ka treguar se nëse nuk ka marrëveshje, Gabriel Escobar dhe Miroslac Lajçak “do te kërkojnë me gjasë edhe një afat që masat e paralajmëruara të shtyhen edhe për ca kohë, me gjasa deri në fund të vitit, në mënyrë që të vazhdojnë negociatat për marrëveshjen përfundimtare”.

Ndryshe, nga 1 shtatori, Kosova pritet të fillojë zbatimin e vendimit për reciprocitet me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet. Ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla thotë se Policia e Kosovës është e gatshme të zbatojë vendimin.

Ai beson se qytetarët serb në veri e kanë kuptuar nevojën e zbatimit të këtij vendimi i cili është me përfitime për ata.

Zbatimi i vendimit më herët, thotë ministri i Brendshëm i Kosovës është penguar nga strukturat kriminale që janë pasuruar dhe fuqizuar me ndihmën e Beogradit për të luftuar shtrirjen dhe sundimit dhe ligjit në atë zonë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim që të fillojë zbatimin e këtyre dy vendimeve dhe pa asnjë hezitim ne ato vendime do t’i realizojmë. Bëhet fjalë për një lëshim të dokumentit për hyrje-dalje të shtetasve të Serbisë në Kosovë, gjë e cila ndodh me shtetasit e Kosovës tashmë për 11 vite. Dhe vendimi i dytë është kalimi i veturave me targa ilegale në vetura me targa legale”, ka thënë sot Sveçla.

“Edhe ky një vendim plotësisht i ligjshëm dhe i bazuar në marrëveshjet e arritura deri tani në Bruksel. Po, ka pasur tendenca destabiliteti nga struktura kriminale në veri të mbështetura dhe të drejtuara nga Beogradi e të shtyra nga Moska. Por unë jam i bindur se institucionet e sigurisë së Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme si bartëse e këtij procesi, janë plotësisht të pjekura, të gatshme dhe mjaftueshëm të forta që të zbatojnë këto dy vendime”, tha tutje Sveçla.

Të ngjashme