Lajme
DOKUMENT| Ky është vendimi i gjykatës për Kryeinspektorin e Punës dhe Drejtorin e ATK-së
Demokracia
17:20 | 25 Gusht 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Hekuran Murati e kanë marrë edhe një goditje rreth çështjes së emërimit të Kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçit dhe konkursit për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të ATK-së.

Gjykata Themelore e Prishtinës – Departamenti për Çështje Administrative ka hedhur poshtë paditë e ushtruara nga Ministria e Financave kundër vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil (KPMSHCK).

Ky aktvendim të cilin e ka siguruar Demokracia.com ka ardhur pas padisë që Qeveria kishte ushtruar ndaj KPMSHCK-së për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për këto dy pozita.

“Refuzohet si e pabazuar kërkesa e paditësit. Propozuesit Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kundër të paditurës Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, me të cilën ka kërkuar shtyrje të ekzekutimit të Vendimit të paditurës ne 60/2022”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga Demokracia.com.

Gjykata ka kërkuar nga ministria që të anulojë konkursin e shpallur për Drejtor të Përgjithshëm të ATK-së dhe gjithashtu, sipas vendimit, “obligohet kryeministri Albin Kurti të e anulojë emërimin e Hekuran Nikçit në krye të Inspektoratit të Punës”.

“Paditësi me padinë/propozimin e datës 29.07.2022 pranë Gjykatës Themelore në Prishtina ka kërkuar anulimin e vendimit me nr.50/2022, me kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të të njëjtit duke theksuar mes tjerash se ekzekutimi i vendimit nr/50/2022 përmes të cilin obligon të paditurën ta anulojë konkursin për Drejtor të Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës dhe Kryeministrin që ta anulojë vendimin për Kryeinspektor të Punës dëmi këtu do të ishte i dyfishtë”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga Demokracia.com.

Sipas vendimit të gjykatës, shtyrja e këtij vendimi – siç ka kërkuar Qeveria – do të shkaktonte dëme të dyfishta.

“Do të krijojë pasiguri te qytetarët e Republikës së Kosovës që konkurset e shpallura me ligj të veçantë nga ana e Ministrisë qoftë edhe në të ardhmen, praktikë tanimë e njohur dhe e zbatuar do të anulohen apo nuk do të kenë epilog dhe si rrjedhojë mund të ketë hezitim në aplikueshmëri, në mungesë të vendimit përfundimtar gjyqësor ministria nuk mund të devijojë nga praktika administrative tanimë të krijuar duke shpallur ose emëruar kategori të lartë drejtuese duke u mbështetur vetëm në Ligjin për Zyrtarët Publik dhe duke injoruar ligjet e veçanta. Së dyti gjerë në vendosje përfundimtare dy institucione të rëndësishme me interes publik do të mbeteshin me pozita vakante, kështu mbetet interes publik që këto institucione të vazhdojnë sipas praktikës së deritanishme konform pritshmërisë legjitime duke i përmbushur detyrimet e këtij konflikti” , thuhet në arsyetimin e këtij aktvendimi.

Këshilli i Pavarur Mbikëqyrjes i Shërbimit Civil më 14 korrik kishte vlerësuar se emërimi i Hekuran Nikçit në pozitën e Kryeinspektorit të Punës nga Qeveria Kurti ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu, ky këshill kishte konstatuar se procesi për zgjedhjen e drejtorit të ATK-së ishte zhvilluar në shpërputhje me ligjet në fuqi.

Kabineti qeveritar emërimin e këtij zyrtari të lartë e kishte bërë sipas Ligjit të Inspektoratit, i cili parasheh se Kryeinspektori emërohet nga Qeveria me propozim të Ministrisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale.

Në këtë mënyrë, Qeveria kishte anashkaluar Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili prej korrikut të vitit 2020 kur ka hyrë në fuqi, përcakton se nëpunësit civilë të kategorisë së lartë drejtuese duhet të zgjidhen sipas këtyre dispozitave të këtij ligji, të cilat kërkojnë se për këtë pozitë Ministria e Punëve të Brendshme duhet të shpallë konkurs. /Demokracia.com/

Të ngjashme