“Nga pyetja e tyre deri në këtë fazë të hetimit, ka rezultuar baza e arsyeshme e të dhënave që krijon dyshimin e bazuar në prova se të dyshuarit kanë ardhur në Shqipëri me mision, të rekrutuar nga shërbimet e inteligjencës ruse me detyra të përcaktuara” , kjo është një nga gjetjet e prokurorisë së Elbasanit mbi të cilën do kërkojë arrest me burg në orën 11 në gjykatën e Elbasanit për shtetasit Mikhail Zorin, lindur në Moskë e banues në Çeku, aktualisht student për kime në Pragë, Fedit Alpatov lindur dhe banues në Kiev dhe Svetlana Timofeeva me dy adresa banimi , njëra në Moskë dhe tjetra në Tbilisi.
Sipas dosjes hetimore të disponuar nga Top Channel në datën 23 gusht prokuroria e Elbasanit me prokuror të hetimit Kreshnik Ajazin ka urdhëruar ruajtjen e sekretit dhe të akteve paraprake që u përkasin deklarimeve të shtetasve të huaj , të dyshuar se janë spiunë dhe se po kryenin veprimtari spiunazhi në Shqipëri.
Burime të Anila Hoxhës theksuan se përpos mjaft provave me interes për hetimin dhe faktit që njëri prej tyre ka folur dhe ka treguar rekrutimin dhe misionin konsiderohet e sekuestruar edhe një pajisje vëzhgimi për shikueshmëri natën (nightvision), por edhe sasi të konsiderueshme parash si dhe 1 copë fishek model 56, kalibër 7.62 , dhe 1 predhë fisheku kalibër 12.7 mm
Prokuroria thotë se mes provave të bllokuara nga njësia e antiterrorit janë edhe dy dronët, një bombël e përdorur në formë spraji neoroparalizues, pajisje kampingu etj. “Është urdhëruar kyqrja e kamerave të sigurisë, në pikat e kalimit kufitar prej nga kanë hyrë këta shtetas dhe këto pamje konsiderohen gjithashtu provë materiale. /TCH