Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj do të marrë pjesë në një darkë pune me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Burime të Demokracia.com brenda AAK-së bëjnë me dije se Haradinaj do të marrë pjesë në këtë darkë, ku janë të ftuar edhe liderët tjerë opozitarë.
Po ashtu, kreu i PD-së Memli Krasniqi do të jetë pjese e kësaj darke.
“Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, është i ftuar nga z. Eskobar për darkë pune të martën pasdite në rezidencën e Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë”, bëjnë të ditur burime brenda PDK-së për Demokracia.com.
Në takimin me Escobar dhe Lajçak do të marrë pjesë edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kjo është konfirmuar edhe nga zëdhënësja politike e LDK-së dhe anëtarja e kryesisë, Sibel Halimi.
Halimi ka thënë se Abdixhiku do të ketë një darkë me përfaqësuesin e BE-së për dialogun dhe atë të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor gjatë kësaj jave.
“Po, do të ketë një darkë. Por, do të ketë edhe takime tjera”, ka thënë Halimi për Demokracia.com.
“Vlerësojmë rolin e BE-së dhe angazhimin e ShBA-ve në dialog. Duke ndjekur agjendën e paraparë, LDK do të takojë përfaqësuesit në fjalë, respektivisht z. Escobar dhe z. Lajçak. Përpos darkës, do të ketë edhe takime të tjera”, ka shtuar Halimi.
Escobar dhe Lajçak, nesër do të vizitojnë Kosovën e më pas edhe Serbinë.
Ata do të qëndrojnë të mërkurën në Prishtinë, ku do të bëjnë përpjekje për t’i bindur palët që të arrijnë marrëveshje për tejkalimin e tensioneve në veri të Kosovës dhe për çështjen e targave të veturave dhe dokumentet serbe./ Demokracia.com/