Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka drejtuar kritika të shumta ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendësit të tij, Besnik Bislimit në lidhje me takimin e fundit në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të dialogut.
Më 18 gusht në Bruksel u zhvillua takimi i radhës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, shkruan Demokracia.com.
Por Qeveria e Kosovës vetëm përmes një njoftimi sipërfaqësor njoftoi për takimin që kryeministri Albin Kurti e zhvilloi në Bruksel me presidentin Aleksandar Vuçiq, përderisa ky i fundit gjatë së dielës ka dhënë detaje nga takimi i 18 gushtit.
Për këtë, Kurti ka marrë kritika nga ish-sekretari organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.
Molliqaj i cili tash është kryetar i PSD-së, ka kritikuar Kurtin dhe Bislimin që nuk kanë dhënë detaje, përderisa një gjë të tillë e bëri Vuçiqi.
Ai përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka thënë se me këtë heshtje që Kurtit dhe Qeverisë nuk është e drejtë që popullit t’iu thuhet që po ndikohen nga “mediat armike”, pasi që delegacioni kosovar nuk jep asnjë llogari e as informacion.
“Një vit e gjysmë, prej se ka filluar dialogu me Serbinë, themelon edhe kohën kur nisi tretja e Kuvendit dhe humbi rëndësia e llogaridhënies ndaj qytetarëve. Duke e marrë si të mirëqenë mbështetjen blanko që opozita parlamentare i dha procesit të dialogut, arroganca e pushtetit nuk pyet për gjë. Madje, nuk ka as simulim të transparencës. Kurti hesht, Bislimi hesht. Çka po heshtin shtrohet pyetje?”, ka shkruar ndër të tjerash Molliqaj, përcjell Demokracia.com.
Reagimi i plotë i Molliqajt, pa ndërhyrje:
DIALOGU I MBYLLUR RREZIK PËRTEJ DIALOGUT
Dialog i mbyllur. Dialog përjashtues. Dhe kjo vetëm nga delegacioni i Kosovës. Si u bë që për çka u tha e çka nuk u tha në dialog e marrim vesh nga mediat në Serbi, ku raporton Vuçiqi? E pasaj na thonë po ndikoheni nga “mediat armike”. Nuk ka burim as informacion, e sidomos llogaridhënie nga pala e Kosovës për dialog.
– Pa vizion, pa plan, pa platformë për dialog.
– Pa platformë të miratuar në Kuvend.
– Pa raportim në Kuvend.
– Pa dialog me shoqërinë civile.
Një vit e gjysmë, prej se ka filluar dialogu me Serbinë, themelon edhe kohën kur nisi tretja e Kuvendit dhe humbi rëndësia e llogaridhënies ndaj qytetarëve.
Duke e marrë si të mirëqenë mbështetjen blanko që opozita parlamentare i dha procesit të dialogut, arroganca e pushtetit nuk pyet për gjë. Madje, nuk ka as simulim të transparencës.
Kurti hesht, Bislimi hesht. Çka po heshtin shtrohet pyetje?