Kur Kylian Mbappé njoftoi rinovimin e tij me Paris Saint-Germain në maj, ai priste që problematikat me të cilat u përball në katër vitet e tij të para nën Kullën Eiffel do të zvogëloheshin, jo të rriteshin.
Edhe për shkak se për të vënë firmën në kontratën e re, përveç një rroge që e bën atë futbollistin më të paguar në botë, djaloshi nga Bondy kishte kërkuar që të zgjidheshin disa situata. Siç shpjegon TNTBrasil, Mbappè donte të ishte ylli i ekipit dhe se gjithçka, ose pothuajse gjithçka, të sillej rreth tij. E komplikuar kur shokët e repartit quhen Leo Messi dhe Neymar.
E pikërisht nga vendi i O Ney vjen lajmi se Mbappè madje është “i neveritur me klubin”. Tensionet nisën për shkak të goditjes së penalltisë, të cilën braziliani nuk ia la francezit herën e dytë ndaj Montpellier, pasi francezi e kishte humbur ndërkohë një. Për të rritur tensionin me Neymar shërbeu edhe “like” i brazilianit në dy postime në Twitter ku kritikohej fakti që goditësi i parë i penalltive i skuadrës është bërë Mbappè, duke lënë të kuptohet se është një zgjedhje e klubit pikërisht për të plotësuar kërkesat e lojtarit për rinovimin. Por fuqitë e mëdha korrespondojnë me përgjegjësi të mëdha dhe gjithashtu… fërkime të mëdha. Madje TNT Brasil flet për Mbappe si një lojtar të izoluar në dhomat e zhveshjes, pikërisht për trajtimin e veçantë që i është rezervuar nga klubi.
Natyrisht, duhet patur parasysh se ajo që e supozon është një gazetë braziliane dhe se për këtë arsye… është logjike që ajo të marrë anën e Neymar. Gazeta e cila ndër të tjera konfirmon edhe çështjen e “listës së zezë” të famshme të francezit, me O Ney në vend të parë. Fakti që braziliani nuk është shitur dhe që deri më tani ka luajtur shumë mirë në ndeshjet e para të sezonit, ka ndihmuar për të tërbuar Mbappè. I cili, sa për të kompletuar panoramën, e ka inatin edhe me Luis Campos, që vetë e sponsorizoi për rolin e këshilltarit futbollistik të PSG-së, për dështimin e mundësisë për të shitur Neymar. Me pak fjalë, si gjithmonë në Paris, sezoni nis mes polemikave…