Agjentët sekuestruan rreth 20 kuti sendesh, si dhe sete fotografish, informacione për presidentin e Francës, dhënien e faljes ekzekutive për Roger Stone dhe një shënim të shkruar me dorë.
Sipas dokumenteve, Trump po hetohet për shkelje të mundshme të Aktit të Spiunazhit.
Ndërsa ishte në pushtet, Trump rriti dënimet për shkeljen e këtyre ligjeve, duke i bërë shkeljet e dënueshme deri në pesë vjet burg.
Të enjten, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së Merrick Garland tha se Departamenti i Drejtësisë i kishte kërkuar një gjykate të Floridës që të bënte publike dokumentet, duke përmendur “interesin e konsiderueshëm publik mbi këtë çështje”.
Trump pohoi në një postim në faqen e tij të internetit “Truth Social” të premten se asnjë nga dokumentet e sekuestruara nuk ishte i klasifikuar.
“E para, ishin të gjitha të deklasifikuara. Numri dy, ata nuk kishin nevojë të “sekuestronin” asgjë. Ata mund ta merrnin kur të donin pa luajtur politikisht dhe pa u futur në Mar-a-Lago. Ishin të sigurta në magazinë, me v një bravë shtesë sipas kërkesës së tyre”, ka shkruar ai.
Që nga kontrolli i së hënës, Garland dhe departamenti i tij janë përballur me një reagim të ashpër nga Partia Republikane, si dhe nga Trump dhe mbështetësit e tij.
Pas bastisjes, një person i armatosur humbi jetën në një shkëmbim zjarri pasi u përpoq të futej brenda zyrës së FBI-së në Cincinnati. Ngjarja po hetohet si një akt i brendshëm ekstremizmi.