Lajme
Shumë tema të nxehta brenda një jave – a është strategji e Kurtit për ta hequr vëmendjen nga dështimet e tij, dialogu dhe Asociacioni?
Demokracia
10:48 | 12 Gusht 2022

Share:

Pothuajse në çdo vend të botës, gushti është muaji i pushimeve, prandaj edhe ngjarjet politike e debatet janë të rralla. Por, në Kosovë po ndodhë e kundërta, shkruan Demokracia.com.

Si në asnjë verë tjetër, skena e debatit publik po vlon nga tema të ndryshme e të nxehta.

Kryetemë e këtyre ditëve të muajit gusht është një fushatë e nisur në rrjete sociale për të ndryshuar një Udhëzim Administrativ të Ministrisë së Arsimit, që nuk lejon bartjen e shamisë nga fëmijët në shkolla.

Ky debat filloi vetëm një ditë pasi kryeministri Kurti u tërhoq nga vendimi për të zbatuar dy vendimet që kishin të bënin me reciprocitet në letërnjoftime të Serbisë dhe regjistrimi i veturave që posedojnë targa ilegale të lëshuara nga shteti serb.

Më 1 gusht 2022, ish këshilltari i kryeministrit Kurti, Durim Berisha, ka publikuar në Facebookun e tij një kërkesë që ia ka drejtuar ministres Arbërie Nagavci për anulimin e një neni të caktuar të Udhëzimit Administrativ.


Po ashtu, pas një kohe, sot ka paralajmëruar konferencë edhe avokati i afërt me LVV-në, Tomë Gashi, lidhur me një pretendim të ri të tij për rastin e Astrit Deharit, i cili edhe pas ardhjes në pushtet të LVV-së ende nuk ka epilog.

Konferenca e tij po vjen pas një takimi që kishte me ministren Albulena Haxhiu dhe zëvendësin e saj.

Të gjitha këto tema duket sikur po nxiten me qëllime të caktuara, për ta humbur vëmendjen nga një temë tepër e rëndësishme për shtetin e Kosovës. Në të gjithë këtë debat të nxehtë veror, vetëm një temë është lënë anash dhe nuk e ka vëmendjen e duhur të shoqërisë kosovare – problemet në veri, dialogu me Serbinë dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.

Normalizimi i raporteve me Serbinë dhe arritja e rezultsteve konkrete janë kërkesë e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, qëia kanë prezantuar kryeministrit dhe presidentes edhe në takimin e tyre në Uashington me sekretarin e shtetit, Antony Blinken. Nisja e negociatave për Asociacionin ishte kërkesë e mbajtur fshehtë për disa ditë, derisa u zbulua nga i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i cili bëri të ditur se sekretari amerikan i Shtetit, Blinken, u ka thënë Kurtit dhe Osmanit se duhet të nisin diskutimin për Asociacionin. /Demokracia.com/

Të ngjashme