Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar, pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, për verifikimin e kandiatëve të listës zgjedhore, raporton Demokracia.com
Zëdhënësi i kësaj partie, përmes një postimi në Facebook ka thënë se PDK respekton vendimin e KGJK-së, dhe se kjo parti gjithmonë ka ndjekur praktikën e moskandidimit të personave të dënuar.
Postimi i tij i plotë:
PDK respekton vendimin e KGJK-së, heq nga lista kandidatin që nuk e ka kaluar verifikimin
Prishtinë, 21 janar 2021 – Partia Demokratike e Kosovës ka ndjekur gjithmonë praktikën e moskandidimit të personave të dënuar apo të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Kjo praktikë do të vazhdojë edhe në këto zgjedhje, pavarësisht lëshimit që është bërë në listën e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit.
Partia Demokratike e Kosovës do ta respektojë vendimin e KGJK-së, duke larguar nga lista kandidatin që nuk i plotëson kushtet e parapara, sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të publikuar në dhjetor të vitit 2020.
Respektimi i plotë i normave që përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe aktet e tjera ligjore për zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, janë kritere të domosdoshme për ta garantuar integritetin dhe mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Kosovë.
Partia Demokratike e Kosovës respekton çdo vendim të institucioneve përgjegjëse dhe fton të gjitha subjektet politike në Kosovë, që të bëjnë fushatë të dinjitetshme, duke e respektuar procesin zgjedhor./Demokracia.com
https://www.facebook.com/avni.bytyci.1694/posts/263254438473267