Më pas, ndaj të akuzuarit është shqiptuar dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 1 viti për të dy veprat penale.
Të njëjtit gjykata ia ka vazhduar edhe masën e paraburgimit, mirëpo paraburgimi nuk mund të jetë më e gjatë se sa dënimi i shqiptuar me burgim.
Ndryshe, i akuzuari Nokaj e ka pranuar fajësinë në seancën fillestare, ndërsa i dëmtuari kishte deklaruar se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale dhe se nuk kërkon kompensim dëmi.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se, Nokaj më datë 27 qershor 2022 rreth orës 03:10 në fshatin Marmullë të Komunës së Gjakovës, saktësisht në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit Artan Bezhi, me dashje, me veprime dhe me mjet të rrezikshëm, shkakton rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve, raporton betimiperdrejtesi.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme në mes të pandehurit dhe të dëmtuarit, natën kritike derisa i dëmtuari me familjarët e tij kanë qenë në shtëpi, i pandehuri duke përdorur mjetë shpërthyes – granatë dore, të njëjtën e gjuan në oborrin e shtëpisë së të dëmtuarit i cili mjet eksplodon dhe pasi që i dëmtuari dëgjon zhurmën del në oborr ku vëren automjetin e të pandehurit në largim e sipër, me çka në këtë mënyrë i pandehuri me veprim të kundërligjshëm i shkakton rrezik për jetën të dëmtuarit dhe familjes së tij.
Me këto veprime akuzohej se ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 paragrafi 1 të Kodit Penal.
Tutje sipas aktakuzës, i njëjti po ngarkohej edhe me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe atë një granatë dore të cilën e ka përdorur dhe e njëjta ka eksploduar si në pikën e parë të dispozitivit të kësaj aktakuze, ndërsa nga bastisja dhe kontrolli në shtëpinë e tij janë gjetur pesë fishekë të kalibrit deri më tani të panjohur, të cilët më pas janë sekuestruar nga hetuesit policor.