Lajme
Kryeministri Kurti del hapur kundër rritjes së pagave, vetë i merr mijëra euro çdo muaj
Demokracia
17:01 | 04 Gusht 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka shuar shpresat e punëtorëve kosovarë dhe sindikatave në vend për rritjen e pagave.

Ai hapur para të gjithëve ka thënë se një rritje e pagave do të ishte kundër popullit të Kosovës dhe atyre që e kanë votuar, ndonëse e ka pranuar se jeta e qytetarëve të Kosovës është rënduar, shkruan Demokracia.com.

Kryeministri, i cili merr mijëra euro nga taksat e qytetarëve të Kosovës, ka vënë në dyshim edhe mënyrën sesi janë punësuar dhjetëra mijëra shërbyes publikë.

Kryeministri Kurti që merr 1 mijë e 305 euro pagë duket se nuk i bëjnë përshtypje pagat e vogla të qytetarëve të Kosovës, ndonëse erdhi në pushtet me premtime për rritjen e mirëqenies, punësimin dhe sundimin e barazisë.

“Parulla jonë me te cilën kemi fituar në zgjedhje ka qenë punësim dhe drejtësi e jo rritje e pagave, ku ju keni garuar me rritje të pagave dhe keni humbur. Do të ishte kundër popullit e kundër fitores që kemi realizuar. Andaj, parullën tuaj s’mund t’ua realizoj unë. Ajo parullë ka humbë më 14 shkurt 2021”, shtoi Kurti.

Qeveria e Albin Kurtit ndonëse kishte premtuar se në fund të muajit mars do të finalizojë Ligjin për Pagat, ajo ende nuk e ka ndërmarrë asnjë hap në këtë drejtim.

Muaj më parë, Qeveria kishte lëshuar në opinion një draft të këtij ligji, ku rriteshin pagat e tyre, por kur e panë se kjo nuk u prit mirë nga qytetarët, thanë se draftligji nuk ishte i saktë.

Edhe pse Qeveria kishte premtuar se ky projektligj do të shkonte në Kuvend në muajin mars, ai ka mbetur ende peng.

Më 30 qershor të vitit 2020, Gjykata Kushtetuese e Kosovës e kishte shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Sipas vendimit, ligji nuk ishte në përputhshmëri me 11 nene të Kushtetutës së Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, zyrtarët publikë nuk do t’i marrin pagat e rritura sipas ligjit që ishte miratuar më 2019. Më 6 dhjetor 2019, Ligjin për Paga në Gjykatën Kushtetuese e kishte dërguar Avokati i Popullit për vlerësimin e përputhshmërisë së tij me Kushtetutën.

Ligji për Paga ishte miratuar në muajin shkurt të atij viti. Ky ligj rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind mbeten jashtë. /Demokracia.com/

Të ngjashme