Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për shtyrjen e zbatimit të vendimeve për targat në veri dhe reciprocitetin me letërnjoftime me Serbinë. Sipas Kurtit, 11 vjet ka pasur pritje për zbatimin e këtyre vendimeve, ndërsa tash për një muaj ka nxitim.
Kurti tha se shtyrja për një muaj e zbatimit të reciprocitetit me targa dhe dokumente e kanë shtyrë shkaku i fushatës së fuqishme dezinformuese të Beogradit te serbët e Kosovës
“Ajo që është dashur të ndodhë para 11 vjetëve, ne po fillojmë ta zbatojmë tani. 11 vjet ka pasur pritje, ndërsa tash në më pak se një muaj ka nxitim. Ky një muaj qenka më i rëndë se ato 11 vjet. Për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që është bërë nga Beogradi, ne kemi pranuar te faktorët ndërkombëtarë që ta shtyjmë zbatimin e vendimin deri në shtator. Nga ne është bërë mjaftueshëm, por është zhvilluar një fushatë e egër nga Beogradi. Janë barrikada që vijnë nga lartë. Me punë dhe angazhim gjithçka do ta përmbyllim mirë. Ne jemi të vendosur në këtë që bëjmë. Në rrethanat që ndodhemi, e kemi marrë vendimin më të mirë të mundshëm. Më mirë me 1 shtator se hiç. E edhe më mirë do të ishte të zbatohej që nga viti 2011, kur u arrit marrëveshja në Bruksel. Mos më shitni patriotizëm dhe moral se ju njohim mirë”, u shpreh Kurti në fund duke iu kundërpërgjigjur Haradinajt, i cili e quajti kryeministrin “good guy”.