Partia e vockël e Mimoza Kusari-Lilës me emrin Alternativa e ka shënuar mbrëmë pesë vjetorin e themelimit të saj.
Po të mos na e kujtonte sonte kryetarja e këtij subjekti, mbase askujt nuk do t’i kujtohej kjo ngjarje e madhe në politikën kosovare.
Mimoza Kusari-Lila ka shpërndarë në Facebook fotografi nga ceremonia e shënimit të 5 vjetorit të themelimit të partisë.
Ajo që bie në sy ishte se në mesin e mysafirëve dominonin deputetët e ministra të partnerit të saj Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Demokracia.com.
Në ditëlindjen e partisë së Kusari-Lilës morën pjesë kryeparlamentari Glauk Konjufca, nënkryetarja Saranda Bogujevci, ministrat Alblulena Haxhiu, Liburn Aliu, Xhelal Sveçla. Aty u panë edhe ministrat e tjerë Faton Peci. Elbert Krasniqi e Fikrim Damka.
Po ashtu në ceremoni u panë edhe deputetët Enver Dugolli, Enver Haliti, Yllëza Hoti e deputeti turk Enis Kervan.
Aty u pa edhe ambasadori britanik, Nicholas Abbot.
Me këtë rast Kusari-Lila tha se pesë vite në jetën e njeriut mund të mos duken me peshë apo hapësirë kohore për ndryshim por rasti i Kosovës e demanton këtë perceptim.
“Në pesë vitet e fundit, prej kur Alternativa si subjekt zyrtarisht u prezantua në skenën politike të Kosovës, vendi, pra Kosova jonë e dashur, kaloi në: tre palë zgjedhje nacionale, u administrua nga katër Qeveri dhe me sukses i kaloi edhe dy palë zgjedhje lokale. Pra, shumë ngjarje ndodhën për pesë vitet e fundit në Kosovë. Roli i Alternativës, në këto zhvillime ishte të pjesëmarrja aktive në jetën institucionale dhe politike të vendit.”, tha ajo.
Megjithatë Kusari-Lila mendon se po i ofron skenës politike në Kosovë një alternativë politike.
Ajo me këtë rast i falënderoi aktivistët dhe bashkëpunëtorët nga LVV-ja për besimin dhe privilegjin të udhëheq grupin më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës.