Lajme
Kurti: Jam gjithmonë i gatshëm të udhëtoj për në Bruksel për takim me Vuçiqin
Demokracia
18:51 | 28 Korrik 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se në fund të muajit gusht mund të ndodhë një takim ndërmjet tij dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka thënë se takimi ndërmjet tij dhe presidentit serb ka qenë i planifikuar që të mbahej më 19 korrik, por ishte shtyrë me insistimin e Serbisë.

Në një intervistë për “Zëri i Amerikës”, Kurti ka thënë se ai është i gatshëm që ta takojë Vuçiqin në Bruksel në një takim të përgatitur mirë, përcjell Demokracia.com.

“ Unë jam gjithmonë i gatshëm që të udhëtojë në Bruksel për takimin e radhës për çështje bilaterale. Një takim i tillë ka pasur të mbahet më 19 korrik, por nuk u mbajt, sepse Beogradi e refuzoi duke kërkuar një shtyrje njëmujore. Serbia shkakton vonesa të paarsyeshme. Përkundër kërkesave të SHBA dhe BE, ata nuk duan të distancohen nga presidenti despotik Vladimir Putin. Kërkojnë që takimet në Bruksel me mua të spostohen në kohë. Kosova ka qenë përherë konstruktive, kreative dhe e përkushtuar. Ne do të vazhdojmë të jemi të tillë, por është Beogradi ai që po punon kundër marrëveshjeve dhe marrëdhënieve të mira. Mbase do të mbahet në fund të gushtit”, ka thënë Kurti.

Ai duke folur për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka thënë se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve nuk janë normale.

“Ne asnjëherë nuk e kemi mohuar rëndësinë e bisedimeve, por kemi thënë që duhet të jenë parimore në të cilat Kosova është palë dhe jo temë. Për SHBA-në, Kosova është shtet i pavarur, por në të njëjtën kohë ne e pranojmë se marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale. Rrjedhimisht, duam normalizim të tyre. Duhet ta ketë qëllimin e një marrëveshje ligjërisht të obligueshme, që qëllim ka njohjen reciproke”, është shprehur ai.

Kurti në këtë intervistë ka folur edhe për çështjen e krijimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe çështjen e Manastirit të Deçanit.

“Ne jemi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore, pa dallim religjioni. Unë kam shprehur gatishmërinë tonë që të fillojmë bisedimet me autoritetet religjioze ortodokse, në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje të mirë. Ashtu siç ne kërkojmë nga Serbia të distancohet nga Putini, kërkojmë të distancohet edhe nga e kaluara. Bëhet fjalë për 24 hektarë që kanë qenë dhuratë e Millosheviqit për Manastirin e Deçanit. Unë dua një zgjidhje të pranueshme për të gjithë”, tha Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme