Pak ditë pasi u emërua ushtrues detyre i Sekretarit të Ndërmarrjes Publike “Pastrimi”, Muhamet Veliu është sulmuar fizikisht nga disa persona. Sipas dyshimeve të para, sulmi ndaj Veliut ndërlidhet me disa vendime që menaxhmenti i kompanisë mori në javën e kaluar.
Në ditën që kompania Rajonale “Pastrimi” mori vendim të anulojë disa vendime të menaxhmentit të kaluar, të mërkurën rreth orës 18: 00, Sekretari Veliu është sulmuar më mjete të forta në kokë, në lagjen Vranjefc të Prishtinës, shkruan Periskopi.
Siç ka mësuar Periskopi, rasti është duke u trajtuar nga policia e Kosovës, dhe pista e parë e hetimeve ka të bëjë me konkursin e anuluar në të cilin ishin punësuar disa persona javë më herët.
“Rrahja ka ndodhë të mërkurën me datë 20 korrik, në lagjen Vranjevc. Ngjarja ndërlidhet me shkarkimin e KE të ndërmarrjes dhe stafit tjetër menaxhues dhe një varg vendimesh që janë marrë nga menaxhmenti i ri ditën e sulmit. Rasti është lajmëruar në Polici dhe të lënduarit i është ofruar ndihmë mjekësore dhe qepja e varreve pas goditjeve me mjete të forta në kokë”.
I kontaktuar nga Periskopi, Veliu nuk ka mundur ta drejtojë gishtin konkretisht nga asnjë person.
“E vërteta është se kam pasë një problem gjatë kthimit prej punë në shtëpi, por motivet akoma nuk po i dijë. Kemi pasë disa ndryshime në vendin e punës, rastin po e trajton policia kështu që unë ja kam lënë policisë që ata me kry punën e vet. Jo nuk dyshoj në askënd se nuk kam kry asnjë veprim kundër askujt për me mujt me dyshu, por ja kam lënë policisë që ata me kry këtë punë”, ka thënë shkurt Veliu për Periskopin.
Në ditën e sulmit fizik, KRM “Pastrimi” ka anuluar disa vendime, për të cilat thanë se kanë qenë joligjore dhe të dëmshme për kompaninë
“Në kuadër të rivendosjes së rregullit, transparencës dhe menaxhimit të mirë të Kompanisë, Menaxhmenti i ri i KRM “Pastrimi” SH.A. ka marrë së fundmi një numër të veprimeve, për të anuluar disa vendime të cilat kanë cënuar funksionimin e mirë të kompanisë. Pas shkarkimit të menaxhmentit të vjetër, si pasojë e keqmenaxhimit, edhe gjendja financiare e kompanisë është shumë e vështirë – çka e konfirmojnë edhe raportet e fundit të auditorit dhe atij financiar. Rrjedhimisht, nevoja për ndërmarrjen e masave të cilat ndihmojnë në rikthimin e stabilitetit të kompanisë ka qenë të domosdshme. Me këtë rast, Menaxhmeti i Ri i Kompanisë, i emëruar nga bordi i drejtorëve me datë 08.07.2022, pasi ka evidentuar shumë parregullsi dhe shkelje të shumta brenda ndërmarrjes, ka marrë masa emergjente krahas me legjilascionin në fuqi”, thuhej në komunikatën e javës së kaluar të kësaj ndërrmarje.
Saktësisht, Menaxhmenti i kompanisë kishte vendosur për:
“1. Anulimin e Konkursit Publik me Nr. 2180, i datës 13.6.2022, i publikuar në gazetën “Bota Sot” nga KRM “Pastrimi” SH.A, sepse i njëjti është shpallur në kundërshtim me dispozitat ligiore në fuqi.
Shfuqizimi i të gjitha vendimeve të mëparshme përmes të cilave u është lejuar veturave jozyrtare furnizimi me naftë.
Formimi i komisionit për Verifikimin dhe identifikimin e mjeteve të Kompanisë (përfshirë Njësitë Operative) që gjenden jashtë Autoparkut për servisim dhe për të njëjtat të përgatitet raport i detajuar ne nje periudhë të afërt kohore.
Formimi i komisionit për verfikimin dhe evidentimin në aspekt kuantitativ i të gjithë Kontenjerëve nëpër pika grumbulluese.
Të gjitha këto masa të marra në bazë të dispozitave ligjore në fuqi, janë vetëm fillimi i veprimeve konkrete për përmirësimin e gjendjes së rënduar në kompaninë “Pastrimit”.
Rrjedhimisht, përkushtimi për të vendosur rend, rregull, transparencë dhe menaxhim të mirë, do të jetë i pandalshëm dhe i pakompromis”.
Para pak javësh, Bordi i Drejtorë të KRM “Pastrimi” ka shkarkuar organet udhëheqëse të ndërmarrjes, duke përshirë edhe Kryshefin Ekzekutiv më arsyetimin se kompania nuk ka pasur përformancë të mirë.