Lajme
Pasojat e dorëheqjes së kryeministrit italian| Destabiliteti në Itali mund të përhapet në Evropë
Demokracia
21:53 | 21 Korrik 2022

Share:

Kryeministri italian Mario Draghi dha dorëheqjen të enjten, ndërsa mundësia e një paqëndrueshmërisë politike në vend, mund të ketë pasoja për tërë Evropën.

Rënia e qeverisë ndodhi në një kohë të keqe për Italinë, ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës. Ashtu si shumë vende të tjera, edhe Italia po përballet me çmime të larta për çdo gjë, nga ushqimi deri te shërbimet shtëpiake si rezultat i sulmit rus në Ukrainë. Për më tepër, ajo po vuan gjithashtu nga një thatësirë afatgjatë që po kërcënon të korrat dhe po përballet me probleme në zbatimin e programit të financuar nga BE për rimëkëmbje nga pandemia e virusit Covid-19.

Çdo destabilitet në Itali mund të përhapet në pjesën tjetër të Evropës, që gjithashtu po përballet me probleme ekonomike, dhe ta privojë BE-në nga prania e një udhëheqësi të respektuar, siç është kryeministri tani i dorëhequr italian ndërsa kërkon të mbajë një front të bashkuar kundër Rusisë.

Draghi, i cili nuk është politikan, por ish-bankier me përvojë në Bankë Qendrore, u zgjodh kryeministër para 17 muajsh për të trajtuar rënien ekonomike të shkaktuar nga pandemia e virusit COVID-19.

Ai kishte marrë nofkën “Super Mario” pasi kishte ndihmuar eurozonën të dalë nga kriza e borxheve kur ai ishte kreu i Bankës Qendrore Evropiane. Zoti Draghi luajti një rol të ngjashëm qetësues edhe në Itali muajt e fundit. Vetë prania e tij ndihmoi në sigurimin e tregjeve financiare për financat publike të vendit të ngarkuara me borxhe. Ai gjithashtu arriti ta mbante vendin në rrugën e duhur me reformat ekonomike që BE-ja i kushtëzoi me paketën e saj të rimëkëmbjes nga pandemia, në vlerë prej 200 miliardë euro.

Ai ishte mbështetës i vendosur i Ukrainës dhe u bë zëri kryesor në përgjigjen e Evropës ndaj sulmit të Rusisë në Ukrainë, një nga çështjet që kontribuan në rënien e tij pasi një nga partnerët në qeveri, partia “5-Yjet” kishin probleme me ndihmën ushtarake italiane për Ukrainën.

Të ngjashme