Gjiganti kinez i teknologjisë, “Baidu”, e ka prezantuar modelin e ri të veturës që do t’i bashkohet shërbimit të taksive pa drejtues, të quajtur “Apollo Go”.
Kompania thotë se modeli i ri, “Apollo RT6”, i ka shkathtësitë e vozitjes së një vozitësi me 20 vjet përvojë.
Sidoqoftë, sipas rregullave kineze, veturat pa drejtues duhet të kenë brenda tyre një drejtues të sigurisë.
Kjo veturë do të kushtojë 250.000 juanë ose rreth 31.000 funte, dukshëm më pak se modelet e mëparshme, tha kompania “Baidu”.
“Po lëvizim drejt një të ardhmeje ku marrja e një robo-taksi do të kushtojë përgjysmë më pak se një taksi sot”, tha bashkëthemeluesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë, Robin Li.
Kompania synon që modeli “RT6” t’i bashkohet grupit të veturave në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm për një testim të vogël dhe planifikon që në rrugë të ketë 100.000 vetura të tilla.
Automjeti ka 38 sensorë, përfshirë: tetë sensorë për ndijimin e dritës dhe hapësirës, një radar të valëve, 12 sensorë ultrasonikë dhe 12 kamera.
“Baidu” thotë se taksitë e tij pa drejtues, që po testohen në dhjetë qytete të Kinës, përfshirë Pekinin dhe Shangain, kanë ofruar më shumë se një milion transportime që nga fillimi i shërbimit, më 2020./Nacionale