Lajme
Kancelari gjerman Scholz: 6 vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë pjesë e BE-së
Demokracia
12:35 | 18 Korrik 2022

Share:

Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian t’i japë fund “bllokadave egoiste të vendimeve evropiane nga shtetet anëtare”. Pa përmendur shtete të caktuara, Scholz aludon në bllokadën disamujore të negociatave nga ana e Bullgarisë në rastin e Maqedonisë së Veriut.

Duke pasur parasysh luftën në Ukrainë, Scholz shkroi në një editorial për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (botimi i së hënës) se në politikën e jashtme BE nuk duhet t’ia lejojë më vetes vetot nacionale nëse dëshiron të dëgjohet në një botë të superfuqive konkurruese. Scholz bëri thirrje që BE të bëhet akter gjeostrategjik.

“Kemi qartësuar se – më në fund – duhet të bëhet realitet perspektiva e anëtarësimit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky premtim vlen. Këto vende janë pjesë e familjes sonë evropiane. I duam në Bashkimin Europian. Natyrisht rruga deri aty është e shtruar me parakushte. Është me rëndësi që kjo të thuhet hapur, sepse asgjë s’do të ishte më keq se sa të ngjallen shpresa të rrejshme. Por rruga është e hapur dhe caku i qartë”, shkroi Scholz.

Kancelari gjerman theksoi se BE duhet të shtrëngojë radhët në të gjitha fushat ku deri më tani nuk ka qenë unik. Scholz përmendi politikën e migrimit dhe ndërtimin e mbrojtjes evropiane. Ai premtoi se në lidhje me këtë qeveria gjermane do të bëjë propozime konkrete në muajt e ardhshëm.

Editorialin e tij Scholz e fillon me këto fjali: “Politika fillon me vështrimin e realitetit. Sidomos atëherë kur s’na pëlqen realiteti. Pjesë e realitetit është se në Europë është kthyer imperializmi. Shumë njerëz shpresonin se rrjetëzimi më i ngushtë ekonomik dhe varësitë e ndërsjella do të ndikojnë njëkohësisht në stabilitet dhe siguri.

Këtë shpresë dukshëm e ka shkatërruar Putini me luftën e tij kundër Ukrainës. Raketat ruse nuk kanë shkaktuar vetëm shkatërrime masive në Harkiv, Mariupol dhe Kerson, por e kanë bërë hi e pluhur edhe rendin paqësor evropian dhe ndërkombëtare të dekadave të fundit”.

Scholz theksoi se Gjermania do t’i japë fund varësisë energjetiko-politike nga Rusia. Në rastin e qymyrit “këtë tashmë e kemi arritur. Importimin e naftës ruse duam ta ndalim deri në fund të vitit. Sa i përket gazit pjesa e importeve nga Rusia ka rënë nga 55 në 30 për qind”.

Të ngjashme