Në skemën e re sociale të prezantuar nga kryeministrit Kurti nuk parashihet edhe punësimi apo subvencionimi i të papunëve që kanë një familjar të punësuar.
Përmes një videomesazhi të publikuar dje, Kurti ka thënë se do të subvencionohen pagat në masën 70% të pagës bruto të punëtorit, deri në 300 euro maksimumi, për 6 muaj rresht, porse kushti për të përfituar është që punëkërkuesi të mos e ketë asnjë anëtar të familjes të punësuar.
“Kushti kryesor për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi nuk ka asnjë anëtar të familjes të punësuar”, thotë Kurti, përcjell Demokracia.com.
Krejt çka duhet të bëjnë ata e që e plotësojnë këtë kriter dhe kompanitë që kanë nevojë për punëtorë është ta bëjnë atë që një numër shumë i vogël e kanë bërë edhe deri më tash, të regjistrohen në Zyrat e Punësimit nëpër komunat e Kosovës.
Megjithatë, ndryshimi është se tani të papunët që nuk e kanë asnjë familjar të punësuar do të subvencionohen 6 muaj rresht, maksimumi deri në 300 euro, por nuk dihet nëse familjet e tyre do të vazhdojnë të përfitojnë prej skemës sociale, siç kanë përfituar deri tash.
Po ashtu, mbetet të qartësohet nëse këta 6 muaj do të subvencionohen gjatë punësimit te ndonjë kompani që ka nevojë për punëtorë, si masë e nxitjes për të formalizuar ekonominë dhe rritur zyrtarisht numrin e të punësuarve apo do të subvencionohen vetëm si pjesë e listës së pritjes 6-mujore për t’u punësuar. /Demokracia.com/