Para Blerim Rekës, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e kishte propozuar zyrtarisht për Konsulle të Përgjithshme në Nju Jork edhe Venera Hajrullahun. Megjithatë, nuk dihet nëse pishman i ra Hajrullahu apo kishte ndonjë mosmarrëveshje në mes të Qeverisë dhe Presidencës për dërgimin e saj në Nju Jork.
Pas shkarkimit të Frymëzim Isufajt nga posti që kishte mbajtur si Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Nju Jork, Gërvalla e kishte rekomanduar edhe Venera Hajrullahun në këtë pozitë, e cila njihet si bashkëpunëtore e SOROS-it në Kosovë.
Kjo është shkresa e siguruar nga Demokracia.com, me të cilën Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, i ishte drejtuar presidentes Vjosa Osmani me propozimin për emërimin e Venera Hajrullahut, Konsulle të Përgjithshme të Kosovës në Nju Jork.
Pak muaj më pas, ndonëse nuk dihet arsyeja pse është tërhequr nga ky rekomandim, tani Gërvalla e ka rekomanduar ish-ministrin e Kurtit, Blerim Rekën, për Konsull të Përgjithshëm në Nju Jork.
Venera Hajrullahu në vitin 2011 ka qenë pjesë e Zyrës së Presidentit, duke e këshilluar ish-presidenten Atifete Jahjaga në fushën e integrimeve evropiane.
Hajrullahu kishte dhënë dorëheqje nga Presidenca më 1 janar të vitit 2012.
Përveç kësaj pozite, Venera Hajrullahu ishte edhe pjesë e organizatës joqeveritare KFOS, organizatë kjo që kryesohet nga George Soros, një filnatrop me ndikim në rajon dhe shpesh i dyshuar për ndërhyrje direkte në zhvillimet politike në rajonin tonë.
Venera Hajrullahu dhe Luan Shllaku si drejtues të KFOS-it janë të afërt me Veton Surroin, ish-politikanin që ditë më parë u raportuar se është kandidat i Qeverisë Kurti për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim. /Demokracia.com/