Gjykata e Apelit sot ka marrë aktvendim, me të cilin ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Skënder Hysenit, ish-Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit.
Për mosdeklarim të pasurisë nuk është marrë asnjë masë ndaj Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz dhe as ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili përveçse është përfshirë në një skandal rajonal, ai nuk i kishte deklaruar as krejt kompanitë që i ka në pronësi të tij.
Donika Gërvalla – Schwarz, që udhëheq Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, nuk e kishte deklaruar saktë pasurinë gjatë vitit 2021 kur e kishte marrë detyrën e saj të re.
Demokracia.com javë më parë kishte raportuar se Gërvalla i kishte fshehur dy biznese dhe pasurinë e burrit e të fëmijëve.
Ministrja e Qeverisë Kurti II ka një biznes në Gjermani, në të cilin mban postin e drejtoreshës ekzekutive, si dhe drejton Fondacionin “Jusuf Gërvalla”.
Përveç kësaj, Gërvalla nuk e ka deklaruar pasurinë e bashkëshortit dhe as të anëtarëve të tjerë të familjes, anise kjo kërkohet në nenin 5 të Ligjit për Deklarimin e Pasurisë.
Deri më tani, nuk është konfirmuar prej prokurorisë se Gërvalla po hetohet nga institucionet e drejtësisë për veprën penale që e ka kryer.
Donika Gërvallës po i hetohet pasuria, fshehu biznesin në Gjermani
Edhe ambasadori Martin Berishaj do të mund denoncohej penalisht nga Agjencia Kundër-Korrupsionit për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë.
Ambasadori i Kosovës në Zagreb nuk e ka deklaruar pronësinë e tij në disa kompani private ku mban aksione në deklarimin e obligueshëm të pasurisë së tij pranë Agjencisë Kundër-Korrupsion.
Në formularin e pasurisë pranë AKK-së, ambasadori Berishaj e ka fshehur edhe pronësinë e tij mbi “MB Consulting”, kompaninë private në Mal të Zi, e cila është përfshirë në transfere të dyshimta të parave tek një politikan slloven.
Në deklarimin e pasurisë në AKK, ambasadori Berishaj ka fshehur aksionet që i posedon edhe në dy kompanitë në Kosovë, Myloja LLC dhe Zaslon Kosova.
Berishaj u përfshi në një skandal financiar që e zbuloi Planet TV, një medium slloven.
Ai dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë. Afera e dyshimtë për shpëlarje parash është zbuluar dhe transmetuar nga televizioni Planet TV dhe hulumtimi bazohej në dokumente, ku dëshmoheshin disa transfere bankare nga GEN-I, dega në Serbi, për tek Berishaj si konsulent i saj.
Televizioni slloven, në kronikën e transmetuar kishte treguar se në xhirollogarinë MB Consulting, e regjistruar në Mal të Zi, nga kjo kompani serbe janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro, për çdo muaj. Pronari i vetëm i kompanisë MP Consulting, në bazë të dokumentacionit zyrtar është Martin Berishaj.
Televizioni slloven kishte raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.
Ambasadori Berishaj figuron bashkë-aksionar me afaristin slloven, Janez Banivuk në kompaninë “Myloja L.L.C”, e regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë në vitin 2008.
Kompania që ushtron veprimtari në fushën e ndërmjetësimit monetar dhe lizingut financiar është e vendosur në lagjen Hajvali të Prishtinës.
Bashkë-aksionar në kompani figuron edhe Anton Çerne, një tjetër biznesmen slloven, ish-anëtar i Bordit të Lotarisë Sportive në Slloveni.
Po ashtu, ai posedon aksione edhe në kompaninë “Zaslon Kosova” LLC. Kjo kompani ushtron veprimtari në fushën e ndërmjetësimit të shitjeve të produkteve.
DOKUMENTE| Martin Berishaj fshehu në AKK kompaninë në Mal të Zi ku i barti 600 mijë euro
Përderisa për Gërvallën hetimet si duket janë mbyllur, drejtori i AKK-së Yll Buleshkaj që njihet si njeri i afërt me partitë në pushtet kishte deklaruar se për Berishajn kanë nisur hetimet.
Çfarë thotë Neni 430 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës?
Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare:
1. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, dhe i cili nuk bën një gjë të tillë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre (3) vjet. Vepra penale nga paragrafi 1. i këtij neni konsiderohet se është kryer kur deklarata nuk paraqitet brenda afatit për paraqitjen e deklaratës.
2. Çdo person, i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dhuratave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare, i cili bën deklaratë të rreme ose nuk paraqet të dhënat e kërkuara në deklaratë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryesi të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit.
3. Vlera e padeklaruar ose e deklaruar rrejshëm e pasurisë, të ardhurave, dhuratave ose të dobisë tjetër pasurore, konfiskohet.
Ndryshe sot, Gjykata e Apelit ka marrë aktvendim, me të cilin ka konfirmuar aktakuzën për mosraportim të pasurisë ndaj Skender Hysenit, ish-Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit.
Në vendimin të cilin e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Hyseni, avokatit Fatlum Podvorica refuzohet si e pabazuar.
Sipas aktakuzës së përpiluar në dhjetor të vitit 2021, Prokuroria Themelore në Prishtinë e ngarkon Hysenin se në formularin për deklarim të pasurisë nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara, duke mos deklaruar një veturë të tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Ndryshe, për këto akuza, Skender Hyseni, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur më 12 janar 2022.
Ndërsa, Gjykata Themelore në Prishtinë me aktvendimin e 23 shkurtit 2022 e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimet e provave të ushtruar nga mbrojtësi i të pandehurit me arsyetimin se provat e grumbulluara japin bazë të mjaftueshme për dyshim të bazuar mirë se i pandehuri ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë dhe ka bazë për ngritjen e aktakuzës aktuale.
Kundër këtij aktvendimi, brenda afatit ligjor ankesë ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Hyseni, avokati Podvodrica për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatimit të gabuar të ligjit penal dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.
Avokati Podvorica i ka propozuar Gjykatës së Apelit që ankesën e tij ta aprovojë si të bazuar, aktvendimin e ankimuar ta anulojë ose ta ndryshojë, ashtu që të hudhet aktakuza për shkak se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar.
Ndërsa, Prokurori i Apelit ka propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit të refuzohet si e pabazuar, kurse aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.
Në vendimin e Apelit thuhet se sipas vlerësimit të gjykatës së Apelit pretendimet ankimore të mbrojtësit të të pandehurit në këtë drejtim janë të pabazuara dhe se aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë me të cilin është refuzuar kërkesa për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimi i provave është i bazuar.
Tutje, sipas Apelit aktvendimi i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë, i ligjshëm dhe i njëjti nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të ligjit penal.
Sipas vlerësimit të kolegjit penal të Gjykatës së Apelit, aktvendimi i ankimuar është i qartë, konkret dhe arsyetimi i tij është në përputhje me dispozitivin.
Sipas Apelit, në rastin konkret ajo çka është relevante në këtë fazë të procedurës penale është fakti se aktakuza është përpiluar në pajtim me nenin 241, paragrafi 1 të KPP-së, e njëjta nuk përmban të meta të atilla që pamundësojnë vazhdimin e procedurës penale dhe se përmban të gjitha elementet e nevojshme që të mund të procedohet në fazat tjera të procedurës penale.
“Relevante në rastin konkret është edhe fakti se aktakuza si e tillë mbështetet në prova thelbësisht të mbështetshme dhe të marra konform dispozitave ligjore dhe se nuk ka vend për hudhjen e aktakuzës”, thuhet tutje në vendimi arsyetimin e këtij vendimi.
Vepra penale për të cilën akuzohet Hyseni, sipas Apelit paraqet vepër penale dhe se nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe rrethana tjera që e pengojnë ndjekjen penale.
Sipas aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të ngritur më 14 gusht 2020 në Prishtinë, Skender Hyseni po akuzohet se në cilësi të zyrtarit të lartë publik – Koordinator Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, me rastin e marrjes së kësaj detyre, me dashje nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara në formularin për deklarimin e pasurisë, të dorëzuar në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK).
Aktakuza thotë se Hyseni nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, viti i prodhimit 2013, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij.
Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Skender Hyseni se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, ku kryerësi dënohet me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. Gjobat e shqiptuara sipas këtij neni mund të jenë ditore dhe mund të shqiptohen derisa kryerësii të përfill urdhrin, vendimin apo aktgjykimin e plotfuqishëm që është subjekt i veprimit. /Demokracia.com/