Lajme
Grenell: Problemi i dialogut Kosovë-Serbi është qeveria e Albin Kurtit dhe evropianët
Demokracia
19:47 | 13 Korrik 2022

Share:

Ish i dërguari special i presidentit amerikan, Richard Grenell, ka thënë sot se ka dy probleme sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas Grenellit, një problem është qeveria e Albin Kurtit në Prishtinë, ndërsa tjetri është fakti se dialogu udhëhiqet nga evropianët.

Në një leksion me temën “Amerika, Ballkani dhe Evropa” në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, Grenell tha gjithashtu se Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar në vitin 2020, nuk vlen, sepse administrata e Joseph Biden ia dorëzoi atë Bashkimin Evropian, si dhe për Albin Kurtin, i cili e kundërshton atë dokument dhe shtoi se shpresonte të arrinte t’i bindte evropianët që të fokusoheshin në bashkëpunimin ekonomik, por, siç thotë ai, si amerikan, ishte i frustruar nga proceset evropiane, të cilat karakterizohen nga “shumë fjalë dhe pak veprime”, transmeton Demokracia.com.

“Evropa dëshiron të ketë një industri politike që përfshin shumë takime dhe dokumente. Unë mora pjesë në disa nga ato takime, pas të cilave pyeta veten – çfarë kemi bërë. Mendoj se këto takime janë vetëm humbje kohe,” vuri në dukje Grenell.

Ai e nisi ligjëratën duke u shprehur se “titulli” i tij i preferuar është pikërisht fakti se ishte i dërguari i presidentit amerikan Trump për dialogun Prishtinë-Beograd.

“Ishte një nder i madh për mua, sepse ka kaq shumë serbë dhe shqiptarë në SHBA, të cilët e kanë origjinën nga ky rajon dhe gjithashtu sepse besoj se amerikanët duhet të mësojnë më shumë për këtë pjesë të Evropës”, ​​tha Grenell.

Ai shtoi se pikërisht për këtë po përpiqet të sjellë investitorë privatë në Ballkanin Perëndimor edhe pas largimit nga posti i ambasadorit.

Ai thotë se tani dëshiron të zbatojë pikërisht atë për të cilën foli kur ishte pjesë e administratës Trump.

“Ka shumë zyrtarë që flasin për ide, por nuk i zbatojnë ato. Ne folëm për zgjidhjen politike të problemeve në Ballkan dhe se është koha që ky proces të zhvendoset nga politika në ekonomi,” tha Grenell. /Demokracia.com/

 

Të ngjashme