Kapiteni i Shqipërisë, Etrit Berisha është paraqitur sot në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes me Andorrën.
Kuqezinjtë janë mysafirë të Andorrës nesër nga ora 20:45 në kuadër të ciklit eliminator për Kupën e Botës 2022, shkruan Demokracia.com.
Në këtë konferencë për shtyp, Berisha ka vlerësuar lart Andorrën, derisa ka kërkuar përqëndrim maksimal nga bashkëlojtarët.
“Ne kemi bërë një detyrë të mirë në kualifikimet e kalura. Duhet të nisemi nga ai moment. Në ndeshjet e fundit kemi treguar futboll të mirë. Sidomos në ndeshjet jashtë Shqipërisë. Duhet të nisemi nga pikëpamja që çdo ndeshje është e rëndësishme. Nesër duhet të përgatitemi jashtëzakonisht mirë dhe nuk duhet të lejohet asnjë surprizë”, ka thënë Berisha.
Trajneri na ka treguar që gabimet që kemi bërë në atë ndeshje kanë ndodhur për shkak të mos përqendrimi. Ishin gabime të evitueshme. Futëm veten në vështirë. Nesër është ndeshja e parë dhe duhet të kemi përqendrim maksimal. Kjo ndeshje na jep më shumë motivim dhe qetësi, tregoi ai.
Morali do të jetë edhe më i madh, duke marrë parasysh që do të luajmë me ekipe të mira dhe përgjegjësia do të jetë më e madhe. Kemi kualitet në ekip, por duhet të përmirësojmë ende disa gjëra. Do mundohemi të bëjmë surpriza për mirë, siç kemi ditur, theksoi Berisha.
Është një ndeshje e rëndësishme për ne, edhe kundërshtarin e njohim sepse kemi luajtur edhe më parë. Në ndeshjet që kemi luajtur në shtëpi kemi vendosur veten në vështirësi prej disa gabimesh. Por me siguri që ndeshja e nesërme do të jetë diçka tjetër sepse do të jetë me një fitore që ta nisim me këmbë të mbarë”, përfundoi portieri prishtinas. /Demokracia.com