Lajme
Aksion i gjerë i Policisë në Shtërpcë, sekuestrohen kamerat e sigurisë të strukturave ilegale serbe
Demokracia
08:29 | 07 Korrik 2022

Share:

Që nga mëngjesi i hershëm i ditës së sotme, Policia e Kosovës është duke e zbatuar urdhrin e Gjykatës dhe Prokurorisë së Ferizajt për bastisjen e disa lokacioneve në qytetin e Shtërpcës.

Policia e Kosovës me urdhër të Gjykatës dhe Prokurorisë Themelore të Ferizajt është duke kryer bastisje në disa lokacione të Shtërpcë.

Lajmi e ka konfirmuar për Demokracia.com, prokurori Rasim Maloku.

“Jemi duke e batuar një urdhëresë të Gjykatës për kontroll dhe sekuestrim të dokumentacionit dhe pajisjeve në objektin e strukturave ilegale në tri lokacione ku janë të vendosura pajisjet për monitorim të kamerave të sigurisë nga strukturat ilegale”, ka thënë Maloku për Demokracia.com.

Sipas tij, ky aksion nuk lidhet direkt me rastin “Brezovica”, por që strukturat paralele kanë menaxhuar me kamerat e sigurisë të cilat kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve dhe institucioneve publike të Republikës së Kosovës dhe më pas këto informacione i janë përcjellë strukturave të sigurisë në Serbi.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se ish-kryetari i komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikoliq është edhe koordinator i strukturave ilegale.

“Janë duke u hequr kamerat e sigurisë. Këto struktura ilegale janë kundër rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe konsumojnë elemente të veprës penale “bashkimi për veprimtari kundër kushtetuese të ndërlidhura për veprën e spiunazhit”, ka treguar Maloku. /Demokracia.com/

Të ngjashme