Lajme
Tensione mes prokurores dhe avokatit Berisha në gjykimin ndaj gjyqtarit Sali Berisha
Demokracia
20:24 | 06 Korrik 2022

Share:

Mes tensioneve dhe kundërshtimeve të prokurores speciale Iliriana Çollaku-Tafa dhe avokatit Besnik Berisha ka vazhduar gjykimi ndaj gjykatësit Sali Berisha, i cili po akuzohet për marrjen e 2 mijë euro ryshfet dhe posedimin pa leje të revoles me dhjetë fishekë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Sali Berisha, avokati Besnik Berisha ka kërkuar sqarime nga dëshmitari Visar Shala se kush i kishte thënë se majori Zejnullah bashkë me togerin Fidan Maliqin, kishin shkuar në shtëpinë e dëshmitarit Florim Zekaj.

Këtë pyetje e ka kundërshtuar prokurorja speciale Iliriana Çollaku-Tafa, me arsyetimin se nuk është parashtruar në bazë të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale si pyetje e tërthortë, mirëpo trupi gjykues e ka lejuar pyetjen e avokatit Berisha për të cilën dëshmitari Shala tha se nuk i kujtohet se kush i ka thënë apo nga kush e kishte kuptuar këtë.

Dëshmitari Shala tha se shkuarja e dy kolegëve të tjerë kishte qenë për rast tjetër dhe se lidhur me këtë nuk dëshiron të thotë diçka më shumë.

Më pas, avokati Berisha kërkoi përsëri nga dëshmitari Shala sqarime se nga ku ka njohuri për këtë fakt meqenëse i njëjti më parë kishte deklaruar se si përgjegjës i hetimeve i të dy rasteve çdo veprim kishte shkuar përmes tij ose me njohurin e tij.

“Për më të tepër po e përballim dëshminë e këtij dëshmitari me një dëshmi të një dëshmitari tjetër po ashtu të prokurorisë”, tha avokati Berisha.

Këtë deklarim të Berishës e kundërshtoi prokurorja speciale Çollaku-Tafa e cila tha se dëshmitari mund të ballafaqohet me prova materiale por me dëshmi të dëshmitarëve të tjerë jo.

“Unë nuk po e di se në cilën dispozitë ligjore një dëshmitarë ballafaqohet me dëshminë e dëshmitarëve tjerë, me prova materiale po, por me dëshmi të dëshmitarëve tjerë jo”, tha ajo.

Trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Mentor Bajraktari, ka lejuar pyetjen e avokatit Berisha, për të cilën dëshmitari Shala tha se nuk ka çfarë të shtoj më shumë përveç asaj çfarë tha më herët.

Po ashtu, edhe në pyetjen e avokatit Berisha drejtuar dëshmitarit Shala se a ka ndonjë arsye zyrtare të mbajë të fshehtë për çështje zyrtare se ata kishin shkuar për një rast tjetër e jo për rastin siç kanë deklaruar dëshmitarët, prokurorja speciale Çollaku-Tafa kishte kundërshtime duke vlerësuar se pyetja është sugjestive dhe jo relevante.

Pas kësaj, avokati Berisha tha se ndjen keqardhje se si një prokuror special bënë kundërshtim mbi bazën se pyetja është sugjestive në linjën e pyetjeve të tërthorta ku sipas tij, udhëzimi i vetëm që merr parashtruesi i pyetjeve është që secila pyetje duhet të jetë sugjestive.

“Më duhet të shpreh keqardhjen time që një prokuror special i shkolluar brenda dhe jashtë vendit, bënë kundërshtim mbi bazën se pyetja është sugjestive në linjën e pyetjeve të tërthorta ku udhëzimi i vetëm që e merr parashtruesi i pyetjeve është që secila pyetje duhet të jetë sugjestive, ku ftohet dëshmitari të pohoj apo mohoj një fakt sepse në të kundërtën del nga kontrolli dhe se din as vet çka pyt po ashtu të kalosh nga sugjestivja në jo relevante kur vet prokurorja ka qenë dëshmitare që Florim Zekaj ka parashtru para juve nën betim se kur unë jam tërheq më kanë ardh te shpija, unë personalisht nuk e di se çfarë relevance tjetër duhet me lidh na ktu”, tha Berisha.

Lidhur me këtë deklarim, prokurorja Çollaku-Tafa i propozoi gjykatës që të mos lejoj avokatin të bëjë komente të tilla në drejtim të vlerësimit të profesionalizmit të saj si prokurore pasi që nuk është personi kompetentet dhe sipas saj, komentet e tilla nuk qojnë askund përveç në zvarritjen e panevojshme të gjykimit.

Pas kësaj, trupi gjykues ua tërhoqi vërejtjen prokurores dhe avokatit Berisha, duke kërkuar nga të njëjtit që të përmbahen prej gjuhës, çështjeve personale të shkollimit dhe çështjeve tjera, duke lejuar pyetjen e mbrojtjes, për të cilën dëshmitari Shala tha, se ai absolutisht nuk ka asnjë arsye që ta mbajë të fshehur këtë çështje mirëpo tha se nuk i kujtohet se nga e di këtë.

Tutje, avokati Berisha ka kërkuar sqarime nga dëshmitari Shala nëse ka ndonjë provë që ka njoftuar prokurorinë e çështjes Blerim Isufaj, se ka mbajtur kontakte private duke i shkuar edhe në shtëpi dëshmitarit për ta nxitur që të bëhet pjesë e një simulimi për Sali Berishen dhe që asnjëherë nuk ka përpiluar një raport të vetëm për kontaktet jashtë zyrës.

Lidhur me këtë, prokurorja speciale Iliriana Çollaku-Tafa përsëri ka kundërshtuar me arsyetimin se në bazë të Kodit të Procedurës Penale dëshmitari është i thirrur të dëshmojë për faktet që kanë të bëjnë me rastin konkret, ndërsa trupi gjykues aprovoi kundërshtimin e tillë duke vlerësuar se pyetja është orientuese.

Po ashtu edhe pyetjen e avokatit Berisha se sipas dëshmisë së Florim Zekaj të 09 shtatorit 2019 i cili kishte deklaruar se “gjyqtari Sali Berisha përmes avokatit Orhan Basha ka kërkuar që të takohet me mua”, si hetues a e kishte kontaktuar Orhan Bashën për ta pyetur nëse një fakt i tillë kishte ndodhur qoftë gjatë fazës kur kishte zbatuar masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit deri në ngritjen e kësaj aktakuze, e kundërshtoi prokurorja speciale Çollaku-Tafa duke thënë se kjo është jo relevante dhe vetëm në kuptim të zvarritjes së procedurës dhe se në bazë të ligjit, udhëheqës i hetimeve është prokurori i shtetit e që ashtu tha se kishte ndodhur edhe në këtë rast, pasi që për veprimet hetimore të ndërmarra hetuesi Visar shala i njëjti tha se i kishte raportuar prokurorit të shtetit”.

Trupi gjykues, ka lejuar pyetjen e avokatit Berisha, për të cilën dëshmitari Shala tha se nuk kishte ndërmarrë një veprim të tillë për shkak se ai personalisht nuk e kishte konsideruar si të arsyeshme.

Po ashtu, dëshmitari Shala sqaroi se as vëllain e Florim Zekaj, nuk e kishte kontaktuar për ta intervistuar.

Tutje, avokati Berisha ka pyetur dëshmitarin se para aplikimit të masave të fshehta deri më 19 shtator 2019, a kishte shkuar në Gjykatën Themelore në Pejë për tu pajisur me lëndën për të cilën pretendohej se janë dhënë 4000 euro lirim nga paraburgimi duke mbetur 2000 euro borxh, për të cilën prokurorja tha se është sërish e detyruar të përmend zvarritjen pasi që sipas saj, është fakt se hetuesi ka shkuar për tu pajisur dhe këtë e dinë edhe mbrojtja dhe gjykata.

Lidhur me këtë, dëshmitari Shala tha se periudha kohore nuk i kujtohet por që është një dëshmi në dosje momenti i marrjes së dosjes.

Tutje, i pyetur nga avokati Berisha se a e kishte kontaktuar për ta intervistuar prokurorinë e çështjes së Muhamet Zekaj pasi që sipas tij, nga dëshmia e dëshmitarit Florim Zeka paratë të cilat pretendon ai se ka ja dhënë Sejdi Blakaj kishin pasur të ndahen edhe me prokurorinë e lëndës, dëshmitari Shala tha se nuk e kishte kontaktuar.

Tutje, edhe pyetja e radhës nga avokati Berisha se a kishte qenë në dijeni se lënda e Muhamet Zekaj për gjykim i ishte ndarë gjyqtares Hidajete Veseli e cila pak muaj më vonë ishte pensionuar dhe lëndët e saj i kishte trashëguar gjyqtari Sali Berisha, u kundërshtua nga prokurorja speciale duke thënë se nuk e ka të qartë relevancën e kësaj pyetje.

Ndërsa, lidhur me këtë avokati Berisha tha se “prokurorja relevancen e kësaj nuk mund ta di sepse nonstop po shkruan në llaptop dhe nuk e di a po e përcjell gjykimin”.

Pas kësaj, trupi gjykues përsëri i ka tërhequr vërejtjen avokatit Berisha, duke kërkuar nga ai që të mos komentohen çështjet personale dhe duke ia lejuar pyetjen të njëjtit, për të cilën dëshmitari Shala tha se nuk e kishte vërejtur atë, duke shtuar se pasi që dosja ishte siguruar, e njëjta ishte dërguar te prokurori i çështjes.

Tutje, duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit Berisha se si bartësi i këtij hetimi a kishte gjetur ndonjë provë që fakton se Sali Berisha kishte kërkuar ryshfet prej dëshmitarit Florim Zekaj familjarëve të tij, mbrojtësit të tij,  apo kujtdo lidhur me këtë çështje siç pretendohet, dëshmitari Shala tha se lënda nga kjo çështje është iniciuar nën pretendimet e dëshmitarit Florim Zekaj, i cili kishte thënë se ka kërkuar 2000 euro dhe si rezultat i kësaj çështje tha se kishin zhvilluar hetim, duke argumentuar sipas tij veprën në fjalë.

Tutje, avokati Berisha ka pyetur dëshmitarin Shala se deklarimin që kishte dhënë në seancë e djeshme duke konstatuar se “pas konsultimit me prokurorin Blerim Isufaj, lidhur me rastin në fjalë ka mbetur që në këtë fazë të hetimeve mos të ngritët kallëzim penal kundër gjyqtari Sejdi Blakaj për faktin se rasti ka qenë duke u zhvilluar nga ana e gjyqtarit Sali Berisha, ndërsa gjyqtari Sejdi ka qenë vetëm gjyqtar i trupit gjykues”, këtë informacion a e kishte konfirmuar para ngritjes së kallëzimit penal në gjykatë apo prokurori ai, si hetues, dëshmitari Shala tha se jo, kjo kishte qenë pretendim i Florim Zekaj që sipas tij kishte thënë se gjyqtar kryesor ka qenë Sali Berisha.

“Dhe siç po shihni në kallëzim penal dhe konsultimet me prokuroren ka mbetë që në këtë fazë të mos ngritët kallëzim penal për të dhe ky informacion ka ardhur sipas pretendimeve të Florim Zekaj”, shtoi Shala.

Më pas, avokati Berisha me lejen e trupit gjykues i’a prezantoi dëshmitarit Shala aktgjykimin, duke e pyetur se a kishte qenë kjo pjesë e shkresave kur e kishte tërhequr dosjen.

Prokurorja speciale Çollaku-Tafa kundërshtoi avokatin Berisha me arsyetimin se është jo relevante për rastin se a e ka parë një shkresë të tillë dëshmitari apo jo, pasi qe sipas tij të gjitha shkresat që i ka tërhequr janë në shkresat e lëndës, ndërsa trupi gjykues nuk lejoi pyetjen e avokatit Berisha.

Tutje, në pyetjen e avokatit Berisha se për çka kishte qenë dyshimi për gjyqtarin Sejdi Blakaj pasi që të njëjtin në procedurë të mëvonshme e kishte intervistuar, dëshmitari Shala tha se për aq sa i kujtohet Sejdi Blakaj ishte dyshuar për veprën penale për të cilën kishin qenë duke hetuar dhe që ka pasur lidhshmëri me rastin e Sali Berishes për të cilën tha se kishin bërë kallëzim penal.

Shala ka sqaruar se bazuar në dëshminë e dëshmitarit Florim Zekaj të 9 shtatorit 2019 kishte ushtruar kallëzim penal edhe ndaj gjyqtarit Daut Demiri nga Istogu.

Seancat e radhës lidhur me këtë çështje penale u caktuan më 25 korrik, 7 shtator dhe 5,6 tetor.

Ndryshe, shqyrtimi fillestar dhe ai i dytë ishin mbajtur nga gjykatësi Arben Hoti, i cili kishte vendosur për kundërshtimet e mbrojtjes, mirëpo pas kthimit të rastit në rivendosje nga Gjykata e Apelit dhe pas caktimit të gjykatësit Hoti si u.d i kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, lëndën e ka trashëguar gjykatësi Mentor Bajraktari, i cili më pas kishte vendosur sërish sipas udhëzimeve të Apelit.

Sipas aktakuzës së ngritur më 5 shkurt 2020, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i pandehuri Sali Berisha, gjyqtar në Departamentin për Krime të rënda në Gjykatën Themelore të Pejës, akuzohet se në mënyrë të drejtpërdrejtë kishte kërkuar dhe kishte pranuar përfitim në mënyrë që të veprojë në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare.

Siç thuhet në aktakuzë, më 19 shtator 2019, i pandehuri Berisha ishte takuar me dëshmitarin F.Z, prej të cilit kishte pranuar shumën prej 2 mijë euro, e të cilët ishin dakorduar që në një rast ku për dy vepra penale “kontrabandimi me migrantë” ishte i akuzuar vëllai i dëshmitarit F.Z, i pandehuri Berisha, si kryetar i trupit gjykues, të shqiptojë dënim të favorshëm, ku për këto vepra kishte shpallur dënim prej tre viteve, me kusht që brenda dy viteve të mos kryejë vepër tjetër penale.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “marrja e ryshfetit” sipas nenit 421, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër e cila dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre deri në 12 vjet.

Përpos kësaj, gjykatësi Berisha, është duke u akuzuar se deri më 19 shtator 2019, ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Zaza Mini”, të kalibrit 8 mm, së bashku edhe me 10 fishekë, e cila i ishte sekuestruar me rastin e bastisjes në banesën e tij në Pejë.

Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në një mbledhje të jashtëzakonshme, më 20 shtator 2019, e kishte pezulluar gjykatësin Sali Berisha, pas arrestimit të tij, nën dyshimin për përfshirje në vepra penale të korrupsionit./Betimipërdrejtësi.com

Të ngjashme