Lajme
Zotëriu i Parë i konkurron Vjosa Osmanit me aktivitete presidenciale, “vëzhgon” çdo gjë në Lubjanë
Demokracia
13:55 | 06 Korrik 2022

Share:

Zotëriu i Parë dhe rezervisti i dalluar, Prindon Sadriu, ka zhvilluar agjendë paralele dhe të ndarë nga presidentja Vjosa Osmani në Slloveni. Këto ditë, Sadriu i ka kaluar duke parë nga afër armë e shijuar ushqime. Nuk ka munguar as tepihu i kuq. Zyra e presidentes Vjosa Osmani ka njoftuar me “krenari” për këtë vizitë, duke ia bashkëngjitur edhe një kolazh fotografish.

Data 4 dhe 5 korrik 2022 do të mbeten thellë të ngulitura në memorien e Zotëriut të Parë, Prindon Sadriut.

Këto dy ditë të ngrohta vere, Sadriu i ka kaluar në Lubjanë të Sllovenisë, duke soditur e monitoruar çdo gjë që i ka dalë përpara, shkruan Demokracia.com.

Nga zyra e Osmanit janë publikuar ndarazi si aktivitete edhe momentet më të mira të Zotëriut të Parë.

“Aktivitetet e Zotëriut të parë, z. Prindon Sadriu, në kuadër të vizitës zyrtare të Presidentes Osmani në Slloveni”, thuhet në këtë njoftim, që i është bashkëngjitur edhe një album më fotografi.

Në këto foto shihet sesi Sadriu ka kaluar nëpër tepihun e kuq me homologen e tij, Zonjën e Parë të Sllovenisë, përderisa Osmani dhe Pahori i prisnin ata që t’u bashkoheshin.

Si një rezervist i dalluar që është, i cili edhe në stadium preferon të shkojë me rroba ushtarake, nuk i ka ikur rasti pa i parë edhe nga afër disa armë të kalibrit të rëndë, të cilat zor që ka pasur rast t’i përvojë ndonjëherë, shkruan Demokracia.com.

Edhe për këto momente, Zyra e Presidentes i ka thënë disa fjalë.

“Z. Sadriu ka pasur rastin të shoh nga afër ekspozita dhe koleksione të objekteve të ndryshme ushtarake si dhe të njoftohet me zhvillime të rëndësisë së veçantë në historinë e Republikës së Sllovenisë, sidomos që nga periudha e luftës për çlirim e vitit 1991 dhe deri në ditët e sotme”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, është bërë me dije se nën organizimin e zyrës së presidentit slloven, Prindon Sadriu ka zhvilluar një program vizitash në objekte të veçanta të historisë dhe kulturës sllovene.

E anash nuk është lënë as ushqimi, pjesë kjo që është përmendur edhe në njoftimin e zyrës së presidentes Vjosa Osmani.

“z. Sadriu ka vizituar edhe një qendër të agroturizmit në këtë rajon, ku edhe është shtruar një drekë zyrtare për nder të vizitës së zotëriut të parë të Kosovës”.

Përpos agjendës inviduale, siç eshë thënë, Zotëriu i Parë gjatë dy ditëve të vizitës zyrtare ka marrë pjesë edhe në aktivitetet e tjera zyrtare të bashkëshortes së tij, presidentes Vjosa Osmani.

Megjithatë, si diplomat me mision në Shkup, Sadriu nuk dihet nëse i ka kërkuar leje shefes së tij, Donika Gërvallës, për këto ditë “shëtitjeje” në Slloveni. /Demokracia.com/

Të ngjashme