Lajme
“Dallime të mëdha në poentim” mes anëtarëve të Panelit Intervistues për pozitën e anëtarit joekzekutiv të Bordit të BQK-së
Demokracia
12:47 | 01 Korrik 2022

Share:

Banka Qendrore e Kosovës (BQK) më 7 shkurt 2022 kishte shpallur konkurs për plotësimin e një pozite të anëtarit joekzekutiv të Bordit të BQK-së.

Në këtë konkurs kishin aplikuar 35 kandidatë, mirëpo, vetëm 18 kandidatë nga 35 sa kishin konkurruar, kishin kaluar tutje në fazën e intervistës me gojë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kandidatët, të cilët kanë kaluar në fazën e intervistës me gojë ishin: Arben Berbatovci, Arta Hoxha, Blerim Burjani, Edona Murseli, Esida Bujupi, Genc Rraci, Imrije Zeqiri, Jetmir Nuka, Luan Matoshi, Lulzim Ismajli, Mirlinda Ahmeti, Myrvete Badivuku, Nexhat Kryeziu, Nora Rraci, Rizvan Rexhaj, Shkëlqim Xhema, Valdrin Kasumaj dhe Xhemajl Gashi.

Pas vlerësimit te kualifikimeve dhe performancës së kandidatëve në intervistim, Paneli ka bërë përzgjedhjen e kandidateve Arta Hoxha, Esida Bujupi, Lulzim Ismajli, Nora Rraci dhe Nexhat Kryeziu ku sipas Panelit këta kandidat në tërësi kanë plotësuar kushtet dhe kriteret konform Ligjit per BQK.

“Betimi për Drejtësi”, përmes kërkesës për qasje në dokumente publike në BQK, ka siguruar fletëpoentimin nga të gjithë anëtarët e Panelit Vlerësues të BQK-së për secilin kandidat për pozitën e lartcekur.

Kandidatët gjatë intervistës ishin vlerësuar për katër kategori poentuese, për njohuritë e përgjithshme (maksimumi 20 pikë), aftësitë e përgjithshme dhe të personalitetit (max 20 pikë), njohuritë që lidhen me pozitën (max 35 pikë) dhe aftësitë e përgjithshme të komunikimit me gojë (max 10 pikë).

Sipas fletëpoentimeve të Panelit Intervistues në përbërje të Flamur Mrasorit, Nora Latifi, Fehmi Mehmetit, dhe Bashkim Nurboja, vërehet se disa prej kandidatëve, të cilët ishin përzgjedhur nga Paneli Intervistues ishin poentuar me “dallime të mëdha” të pikëve mes anëtarëve të këtij Paneli.

Burimet të “Betimit për Drejtësi” në Kuvendin e Kosovës, bëjnë të ditur se kandidatja Hoxha, e cila nga anëtarët e Panelit Intervistues ishte përzgjedhur si kandidate e suksesshme, në intervistën me gojë ishte vlerësuar me 38 pikë nga anëtari i panelit Fehmi Mehmeti, me 99 pikë ishte vlerësuar nga anëtarja Nora Latifi, me 49 pikë ishte vlerësuar nga kryetari panelit Mrasori dhe me maksimum të pikëve, pra me 100 pikë nga anëtari Nurboja.

Sipas formës individuale për intervistë me gojë (fletëpoentimeve) vërehen dallime të mëdha në poentim mes anëtarëve të panelit, përderisa kandidatja Hoxha tek anëtari Nurboja ka arritur të marrë maksimumin e pikëve (100 pikë), tek anëtari Mehemti ajo nuk ka arritur të marrë as gjysmën e tyre (38 pikë), e që padyshim ky poentim përbën një diskrepancë të madhe në vlerësim mes këtyre anëtarëve.

E me dallime të mëdha të pikëve në vlerësimin e anëtarëve të panelit ishte përcjellur edhe vlerësimi i kandidates Esida Bujupi, e cila ishte nga katër anëtarët e panelit ishte vlerësuar me këto pikë, 40, 98, 93 pikë si dhe gati me maksimumin e pikëve nga një anëtar, pra me 99 pikë, nga 100 sosh, që edhe në rastin e kandidates Bujupi shihet një “dallim i madh” në vlerësim mes anëtarëve të Panelit Intervistues.

Në fletëpoentimet e siguruara nga “Betimi për Drejtësi”, shihen qartë dallimet në poentim edhe për kandidaten Bujupi, e cila përderisa tek njëri anëtar nuk kishte arritur të marrë as gjysmën e pikëve, pra më pak se 50 pikë, tek anëtari tjetër ka arritur të marr gati maksimumin e tyre (99 pikë).

Për dallim nga kandidatët e lartcekur për të cilët anëtarët e panelit kishin pasur dallime të mëdha në poentim, ndryshe kishte qenë vlerësimi i kandidatit Ismajli i cili po ashtu ishte përzgjedhur si kandidat i suksesshëm nga katër anëtarët e Panelit Intervistues, i njëjti kishte arritur të marrë këto pikë, 91, 99, 98 dhe 75 pikë nga katër anëtarët e këtij paneli.

Ndërsa, kandidatja Rraci kishte marrë këtë vlerësim nga anëtarët e Panelit  Intervistues me këtë renditje të pikëve  75 pikë, 84, 86 dhe 75 pikë nga anëtarët e këtij paneli, e që në rastin e kandidates Rraci dallimet në poentim mes anëtarëve nuk kishin qenë të mëdha.

Tutje, me një vlerësim të përafërt dhe pa dallime të mëdha ishte vlerësuar edhe kandidati  Kryeziu i cili sipas fletëpoentimeve të panelit intervistues ka marrë këto pikë, 72, 80, 85 dhe 88 pikë.

Ndryshe, kandidati Nexhat Kryeziu, ka qenë kandidat për deputet nga partia në pushtet në zgjedhjet nacionale të vitit 2017, ai nga Qeveria e Republikës së Kosovës në dhjetor 2021 ishte emëruar si kryesues i Këshillit të Kosovës për Raportim Financiar.

“Betimi për Drejtësi” përmes kërkesës për Qasje në Dokumente Publike ka kërkuar nga BQK edhe Raportin përfundimtar të Panelit Intervistues si dhe pjesën e arsyetimit për secilin poentim të këtij Paneli për secilin kandidat por që sipas BQK-së arsyeshmëria e vlerësimit të secilit kandidat është përcaktuar në fletëpoentim.

Mirëpo, në fletëpoentimet e siguruara janë përcaktuar vetëm kategoritë poentuese dhe në asnjë pjesë të këtyre fletëpoentimeve të siguruara nuk figuron hapësira për arsyetim.

Natyrisht, pjesa e arsyetimit të secilit poentim  për secilin kandidat do ta jepte një pasqyrë më të qartë në dallimet e mëdha në vlerësim mes anëtarëve të Panelit Intervistues lidhur me kandidatët e lartcekur.

Sipas konkursit të shpallur me 7 shkurt 2022, kandidati duhej të plotësonte këto kritere:

  1. Person me integritet dhe përgatitje Universitare
  2. Minimum dhjetë (10) vite përvojë profesionale ose akademike në fushat ekonomike, financiare, bankave, kontabilitet apo çështje juridike
  3. Njohuri në krijimin dhe monitorimin e zbatimit të politikave të rëndësishme të lidhura me misionin, objektivat dhe detyrat e BQK-së.
  4. Në mënyrë specifike të plotësojnë kushtet sipas nenit 40 të Ligjit nr.03/L-209 për BQK
  5. Njohja e gjuhës angleze paraqet përparësi

Lista e kandidatëve që kualifikohen nga ana e Panelit do t’i dërgohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili do të përzgjedh një individ.

Miratimi dhe emërimi për këtë pozitë do të bëhet nga Presidenti i Republikës së Kosovës në pajtim me nenin 84 paragrafi 27, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 38 paragrafi 2 të Ligjit nr.03/L-209 për BQK-ën.

Sipas konkursit të publikuar, emërimi do të jetë për një mandat pesëvjeçar, duke filluar nga data e emërimit.

Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Bordi i Bankës Qendrore përbëhet nga Guvernatori dhe katër (4) anëtarë joekzekutiv, të cilët ngarkohen me detyrën e aprovimit dhe mbikëqyrjes së zbatimit të politikave, si dhe mbikëqyrjen e administrimit dhe të aktiviteteve të Bankës Qendrore.

Banka Qendrore e Kosovës është institucion publik i pavarur. Objektivi kryesor i saj është nxitja dhe ruajtja e një sistemi të qëndrueshëm financiar dhe një sistemi efikas të pagesave. BQK mbështet politikat e përgjithshme ekonomike të Qeverisë.

Me 27 prill 2022, BQK ka dërguar në Kuvendin e Kosovës listën e kandidatëve të përzgjedhur për pozitën anëtar joekzekutiv i Bordit të BQK, kësaj liste i është bashkangjitur edhe biografia e secilit kandidat të përzgjedhur.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës me 30 prill 2022 është pajtuar me kandidaturat e propozuara nga Paneli Intervistues për përzgjedhjen e anëtarit Joekzekutiv në Bordin e BQK./BetimipërDrejtësi.

 

Të ngjashme