Lajme
Kurti emëron koordinatore të Fondit Sovran ish-kryesuesen e Bordit të KEK-ut
Demokracia
19:34 | 28 Qershor 2022

Share:

Qeveria e Kosovës sot ka emëruar Rrezarta Pllanën, koordinatore për themelimin e Fondit Sovran.

Sipas një njoftimi të Qeverisë, Pllana do të jetë përgjegjëse për strukturimin e ndërmarrjeve publike, si dhe për propozimin për themelimin e grupit të ekspertëve, që do bëhen pjesë e grupit punues për hartimin e Ligjit për Fondin Sovran, shkruan Demokracia.com.

Duket se Pllana është një prej njerëzve të besuar të Kurtit. Ajo në maj të vitit të kaluar ishte emëruar kryesuese e Bordit të Përkohshëm të Korporatës Energjetike të Kosovës.

Por, Pllana të cilës i është dhënë përgjegjësia për strukturimin e ndërmarrjeve publike, gjatë kohës sa ishte në krye të Bordit të KEK ishte përballur me një kallëzim penal nga një punëtor i kësaj ndërmarrjeje.

Sekretari i KEK-ut, Lulzim Zeqiri, kishte ngritur kallëzim penal ndaj asaj, bordit dhe drejtorit të ri.

Në këtë kallëzim penal thuhet që të apostrofuarit më datë 22 maj kanë nxjerr vendimin e kundërligjshëm përmes të cilit Zeqiri thotë që në mënyrë arbitrare u është ndërprerë puna.

Këtu, Zeqiri ka thënë që ndërprerja e marrëdhënies së punës iu bë përmes një shkrese që nuk përmban asnjë nga elementet që do të duhet t’i kishte një akt që ndalë të drejtën e punësimit, gjë që e quan tendencioze.

Zeqiri u shkarkua në përvjetorin e babait që iu vra në masakrën e madhe të Vushtrrisë.

“Bazuar që shpallja publike e shkarkimit tim është bërë me datën 22 maj 2020, duke publikuar edhe në faqen zyrtare të KEK në të njëjtën datë, kurse në vendimin e pranuar me shkrim shihet se ai është nxjerr dhe protokolluar me datën 26 maj 2020, vërtetohet tendenca e hapur dhe misioni i tyre për shkarkimin tim, duke qenë të vetëdijshëm se janë duke vepruar në kundërshtim me ligjin e punës. Kjo vërteton se “misioni” i tyre është i natyrës së kundërligjshme me motive të panjohur apër mua me qëllim të dëmtimit tim e favorizimit të të tjerëve”, thuhet në kallëzim penal.

Kësisoj, Zeqiri thotë që këta kryen veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje”.

Sipas legjislacionit në fuqi, përkatësisht Ligjit të Punës, thuhet që “të punësuarit vetëm për rastet të rënda të sjelljes së keqe dhe për shkak të përmbushjes së pakënaqshme të detyrave të punës”, i ndërpritet kontrata e punës. /Demokracia.com/

Të ngjashme
Lajme • 20 Prill 2025