Të hënën në mbrëmje, kryeministri Albin Kurti zgjodhi ekranin e një televizioni në Tiranë për ta bërë një gënjeshtër publike për dialogun me Serbinë.
Derisa gazetari ia numëroi disa nga kushtet e trumbetuara prej tij për gati një dekadë, Albin Kurti u mundua t’i shmangej të vërtetës. Në këtë intervistë, Kurti nuk pranoi se ka kërkuar kushtëzime të dialogut me Serbinë, por një dialog me parime. Por, faktet publike e dëshmojnë të kundërtën.
Gjatë opozitarizmit të tij, Kurti i ka përmendur me qindra herë kushtet që Kosova duhet t’ia vendosë Serbisë para se të shkojë në dialog. Por, sipas tij, klasa politike asokohe e shantazhuar dhe servile ndaj Serbisë, nuk ishte në gjendje t’i bënte këto. Në intervista të ndryshme, ai ka përmendur shpeshherë kushtet specifike që duhet t’i vendoseshin Serbisë, por në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, ai i ka përmbledhur të gjitha kushtet brenda një përgjigjeje të vetme.
“Lëvizja Vetëvendosje jo vetëm që nuk është pjesë e kurrfarë bisedimesh me Serbinë dhe nuk do të jetë asnjëherë, por ajo mendon që është absurde që të bisedohet për çfarëdo qoftë me Serbinë përderisa ajo: (1) nuk e pranon pavarësinë e Kosovës, (2) nuk e ndërron Kushtetutën e saj ku shkruan se Kosova është pjesë e Serbisë, (3) nuk na kërkon falje për krimet e kryera, (4) nuk na i dorëzon kriminelët e luftës, (5) nuk na i dorëzon trupat e pajetë të të pagjeturve të zbuluar në varrezat masive ose informatat për ta, (6) nuk na i kthen librat kadastral dhe fondin pensional, (7) nuk na i paguan dëmet për shkatërrimet e mëdha në Kosovë dhe (8) nuk e ndërpret financimin e strukturave paralele”, thoshte opozitari Kurti, përcjell Demokracia.com.
Madje, ai është treguar i pandjeshëm, duke u munduar të përdorë edhe një temë që zgjon emocione të mëdha sa herë që përmendet: fati i të pagjeturve nga lufta e fundit.
Kanë kaluar më shumë se dy dekada që nga përfundimi i luftës dhe ende nuk dihet për fatin e më shumë se 1,600 qytetarëve të Kosovës, pasi që Serbia vazhdon të mos japë asnjë informacion.
Si asnjë politikan tjetër, Kurti e kishte shfrytëzuar edhe këtë çështje. Ai si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 2017-es, kishte shkuar në Gjakovë në shoqatën “Thirrjet e Nënave” dhe u kishte premtuar kushtëzimin e dialogut me Serbinë, me zgjidhjen e kësaj çështjeje.
“Deri më tash dialogu me Serbinë është zhvilluar sipas kushteve të Serbisë. Është diskutuar ajo çka i ka interesuar dhe konvenuar Serbisë. Ne jemi të bindur që ajo do të duhej të kushtëzohej me këtë çështje, sepse duhet të bëhet hulumtimi i hollësishëm në Serbi se çka ndodhi e kur ndodhi me më të dashurit tuaj dhe tonë”, kishte premtuar Kurti.
Pavarësisht këtij premtimi të madh që ia kishte dhënë nënave gjakovare dhe premtimeve të tjera, ai nuk i mbajti ato dhe më 15 qershor 2021 takoi për herë të parë Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. /Demokracia.com/