Pas rënies nga elita e futbollit kosovar, klubi i Ulpianës po përballet edhe me një “tollovi” të madhe në organizimin e brendshëm.
Pas dorëheqjes së Abedin Salihut – Dino nga posti i kryetarit, legjenda e futbollit lipjanas, Jeton Gashi bëri me dije se në një kuvend zgjedhor të mbajtur, e ka fituar besimin për ta drejtuar Ulpianën.
Megjithatë, nga kryesia në detyrë e klubit, kanë reaguar ashpër me anë të një komunikate, duke e cilësuar jolegjitim këtë kuvend.
Madje, ata e kanë njoftuar kryetarin e komunës, Imri Ahmeti, ministrin e MKRS-së, Hajrulla Qeku, kryetarin e FFK-së, Agim Ademin si dhe LRF-në e Prishtinës.
Nga ana tjetër, Jeton Gashi, në një bisedë me FrontOnline ka thënë se kuvendi i mbajtur ishte në bazë të statutit të klubit dhe se synimet e tij me Ulpianën janë të mëdha.
Gashi: Kuvendi ishte i rregulltë, kam mbështetjen e donatorëve për ta kthyer Ulpianën në vendin e duhur
Jeton Gashi, i cili ka një karrierë të madhe si futbollist, është deklaruar për herë të parë pas “rrëmujës” te klubi lipjanas.
Në një kuvend të mbajtur këtë fundjavë, ai mori besimin e delegatëve për ta marrë drejtimin e klubit.
“Ftesat ua kam dërguar 62 delegatëve dhe kryesisë, kuvendi u mbajt, por nuk përfundoi, me marrëveshje është shtyrë. Mora informata se mund ta mbajë kuvendin e rregulltë, i cili u mbajt në bazë të nenit përkatës – pra me mbi gjysmën e delegatëve. Jam shkuar në mënyrë ligjore dhe e kam përfunduar”, tha fillimisht Jeton Gashi.
Tutje, ai ka folur edhe për reagimin e kryesisë në detyrë, duke i quajtur “të pahijshme” veprimet e tyre.
“Atyre nuk u ka hije të bëjnë aso akuzash, ata duhet ta shikojnë veten për atë që kanë bërë në klub. Kam dashur të bisedoj me ta, jemi marrë vesh të takohemi dhe më pas vendosa ta mbaj kuvendin ku u zgjodha kryetar. Besoj se e kam mbështetjen e komunës dhe nuk mendoj se do të dalë kryetari kundër Ulpianës”, theksoi legjenda lipjanase e futbollit.
Sipas tij, me të në krye, Ulpiana do të ketë përkrahje të madhe financiare nga biznesmenë dhe donatorë të ndryshëm.
“Kontributi im ishte i madh prej kohësh. Tani kam përkrahjen e biznesmenëve dhe do t’ia dalim me investime si dhe me shkollën e futbollit që ka shumë futbollistë dhe kemi donatorë që të investojnë në klub. Në klub mund të hyjnë deri në 190-200 mijë euro”, nënvizoi Gashi.
Për fund, Gashi tregon se mbështetja e tij ishte e madhe, por edhe e trajnerëve të njohur, derisa tregon se synon ta kthejë klubin në elitë.
“Nuk jam kthyer rasisht dhe jam kthyer ta bëj një gjë të madhe dhe ta kthej klubin në Superligë. Poashtu, edhe interesimi i trajnerëve të njohur është i madh. Udhëheqësia do të jenë sportista dhe biznesmenë. Nuk do t’i hakmerrem askujt dhe i respektoj të gjithë ata nga kryesia e vjetër. Tek Ulpiana, do të kenë përparësi futbollistët vendas, dhe jo ata që janë injoruar më herët”, përfundoi të dielën për FrontOnline Jeton Gashi.
Kryesia në detyrë e Ulpianës nuk e mirëpret Jeton Gashin
Nga kryesia në detyrë e klubit lipjanas, Ulpiana, kanë reaguar ashpër ndaj kuvendit të mbajtur që zgjodhi Jeton Gashin për kryetar.
Në një komunikatë publike, kryesia në fjalë ka njoftuar organet kompetente, nga komuna e deri te FFK-ja.
Sipas tyre, ky kuvend ëshë jolegjitim dhe se Jeton Gashi është “kryetar i vetëshpallur i klubit”.
Komunikata e plotë (pa ndërhyrje):
“KF ULPIANA 1926 njofton qytetarët e Lipjanit, Kryetarin e komunës së Lipjanit z.Imri AHMETI, Drejtorin për Rini, Kulturë dhe Sport në Lipjan dhe kryetarin e FFK-së, z.Agim ADEMI, Komitetin Ekzekutive të FFK-së, LRF e Prishtinës, se sot persona të pandërgjegjshëm dhe të cilët nuk janë dhe as që kanë qenë pjesë e kryesisë së klubit të futbollit ULPIANA 1926 kanë postuar në faqet e tyre personale se është mbajtur Kuvendi i KF ULPIANA 1926 në kafiterinë Golden Day e cila është në rrugën Skënderbeu në Lipjan dhe në këtë postim kanë shkruar se është zgjedhur kryetari i ri i KF ULPIANA, Jeton Gashi. KF ULPIANA 1926 ju njofton se kryesia e Klubit nuk kemi mbajtur asnjë kuvend dhe se këto janë vetëm dezinformata nga persona të pandërgjegjshëm, andaj njoftojmë opinionin se lajmi nuk është i vërtetë dhe se ne si kryesi i KF ULPIANA 1926 do të denonojmë tek organet e rendit në lidhje me qështjen në fjalë dhe ata do të merren me personat siq shihen edhe në fotografinë e postuar nga vetë Jeton Gashi, për komunikatën e dhënë në emër të KF ULPIANA 1926 nga persona që nuk janë pjesë e KF ULPIANA 1926, siq është Jeton Gashi i vetëshpalluri kryetar i klubit“,