Lajme
Si e bëri veten Albin Kurti si Neville Chamberlain?
Demokracia
11:00 | 25 Qershor 2022

Share:

Nuk kanë qenë të rralla rastet kur opozitari Albin Kurti, e kishte zënë në gojë emrin e ish-kryeministrit britanik të para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Neville Chamberlain (1937 – 1940). Natyrisht se përdorimi i emrit të tij ishte në kontekstin negativ për shkak se politikat e tij për “ta marrë me të mirë” Hitlerin, u treguan të pasuksesshme.

Albin Kurti u thoshte paraardhësve të tij se në raport me Serbinë ata i ngjanin ish-kryeministrit britanik, shkruan Demokracia.com.

Chamberlain mbahet mend se me nënshkrimin e Marrëveshjes së Mynihut, më 30 shtator 1938, ia ka dhënë Gjermanisë naziste të udhëhequr nga Hitleri rajonin gjermanfolës Sudetenland të Çekosllovakisë. Pas pushtimit gjerman të Polonisë më 1 shtator 1939, që shënoi fillimin e Luftës së Dytë Botërore, vetëm dy ditë më vonë Chamberlain njoftoi shpalljen e luftës ndaj Gjermanisë dhe ishte dorëhequr disa muaj më vonë.

Debatet për figurën e Chamberlain vazhdojnë edhe në ditët tona.

Mbi Chamberlain rëndojnë kritikat se përse ai nuk e ndaloi Hitlerin? Apo sesi arriti një marrëveshje të tillë, në këmbim të premtimeve boshe për paqe? Dhe, si ishte e mundur që ai nuk e dinte se po bënte marrëveshje të dëmshme?

Këtë debat, Albin Kurti që njihet si një recitues dhe që merr shembuj edhe kur ata nuk përkojnë me realitetin tonë është munduar t’ia përshtat Kosovës, me qëllimin e vetëm që t’i sulmojë e denigrojë kundërshtarët politikë.

Në njërën nga këto raste, edhe pse ishte mbajtur vetëm takimi i parë ndërmjet dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë në vitin 2012, Kurti e kishte parë atë takim “edhe më të rëndë se takimi i kryeministrit britanik Neville Chamberlain (me Hitlerin) në vitin 1939 në Mynih, ku ai u dakordua që një krahinë e Çekisë t’i aneksohej Gjermanisë naziste”.

Por, tani që Kurti është kryeministër, ka rënë pikërisht në kurthin e shembujve që vet i ka ngritur. Kjo nuk është një gjë e rrallë për Kurtin, ashtu siç nuk janë tani as takimet e tij me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Përplasja e Kurtit me të kaluarën e tij prej opozitari është kthyer në përditshmëri, çka po e bënë atë një politikan tërësisht joserioz.

Tani që është bërë kryeministër, pasi që ka pranuar se do ta zbatojë marrëveshjen e nënshkruar nga një kryeministër i kaluar, të cilën vetë e kundërshtonte me fjalime të zjarrta në Kuvend e me protesta të dhunshme në sheshet e Prishtinës, Albin Kurtit mund t’i kujtohet britaniku Neville Chamberlain.

Marrëveshja për Energjinë me Serbinë ishte kundërshtuar fuqishëm nga opozitari Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje. Por, tani që Kurti është në pushtet, ai është tjetërsuar në raport me dialogun me Serbinë. 33 marrëveshjet me Serbinë që premtonte se do t’i rishikonte, pasi që i cilësonte si të dëmshme dhe akte tradhtie, ka filluar t’i pranojë dhe t’i mbrojë fuqishëm.

Në seancën e Kuvendit më 22 qershor, Kurti e mbrojti fuqishëm pranimin e zbatimit të Marrëveshjes për Energjinë. Megjithatë, ajo çka i ka çuditur të gjithë, ishte se përveç që e mbrojti këtë marrëveshje, Kurti tha se vazhdon të mendojë se kjo është një marrëveshje e dëmshme, por që i duhet ta zbatojë.

Kjo kërkon përgjigje në shumë pyetje…

Edhe në këtë moment, Kurtit mbase i është kujtuar Neville Chamberlain dhe marrëveshja e dëmshme.

Si është e mundur që Albin Kurti, në njërën anë të thotë se do ta zbatojë këtë marrëveshje dhe në vazhdim të fjalës të konstatojë se ajo vazhdon të mbetet e dëmshme? Çka po e shtyn atë të dakordohet për zbatimin e një marrëveshjeje të dëmshme? Nëse një kryeministër konstaton se një marrëveshje është e dëmshme, atëherë pse duhet ta zbatojë atë? A nuk duhet ta anulojë atë marrëveshje në Kuvend, ku ka deputetë me bollëk? A nuk është ky një alarm? A nuk do të ishte udha e duhur që ai ta refuzonte zbatimin e marrëveshjes së dëmshme? Në fund të fundit, a nuk është Kurti ai që u ka premtuar qytetarëve të Kosovës se do t’i zhbëjë këto marrëveshje për të siguruar marrëveshje plotësisht të favorshme për Kosovën?

Këto janë pyetje të shumta, të cilave, me gjasë nuk do t’iu përgjigjet kurrë Albin Kurti, që vetë e ndërtoi shembullin me Neville Chamberlain, në të cilin tash ka rënë plotësisht. /Demokracia.com/

Të ngjashme