Kryetari i Gjilanit nga radhët e LVV-së, Alban Hyseni, e ka publikuar listën përfundimtare të përfituesve të subvencioneve këto ditë, pasi që disa organizata jo vetëm që kishin përfituar, por edhe i kishin kryer aktivitetet.
Më 15 qershor është shënuar Dita e Çlirimit të Gjilanit. Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, kishte shpërndarë subvencione mijëra euro për aktivitete të ndryshme lidhur me këtë ditë.
Më 8 prill të vitit 2022, Komuna e Gjilanit kishte bërë thirrje publike për mbështetje të OJQ-ve dhe individëve, raporton Demokracia.com.
Përmes kësaj thirrje publike, Alban Hyseni i LVV-së kishte shpërblyer me mbështetje edhe persona të afërt me të.
Në mesin e organizatave që kishin përfituar mbështetje nga kjo thirrje publike ishin edhe Klubi i Atletikës “Qendra” dhe “Bicikleta Urbane”, të cilat ishin paraparë që të performonin aktivitete për Ditën e Çlirimit.
“Qendra” kishte marrë mbështetje me 1 mijë euro nga Komuna e Gjilanit, ndërsa “Biçikleta Urbane”, 1 mijë e 500 euro, raporton Demokracia.com.
Por, kryetari i ri i Gjilanit duket se nuk e kishte me nguti aspak transparencën, pasi që listën përfundimtare të përfituesve nga kjo thirrje publike vendosi ta publikojë më 20 qershor 2022, gati një javë pasi që ishin kryer edhe aktivitetet, pas përfundimit të festës për Ditën e Çlirimit.
Pas raportimeve në media, Komuna e Gjilanit kishte anuluar një konkurs lidhur me keqpërdorimet dhe nepotizmin në shpërndarjen e granteve në kulturë, raporton Demokracia.com.
Përmes konkursit që më pas u anulua, përfituese kishte qenë edhe një ish-zyrtare e LVV-së, Ardiana Halimi. E njëjta kishte marrë subvencion në vlerë prej 2 mijë e 500 eurove me organizatën “Vullnetarët e Qytetit”.
Sidoqoftë, Komuna e Gjilanit nuk u ndalë me kaq edhe pas anulimit të konkursit, pasi që në konkursin e ri e subvencionoi edhe Albana Halimin, motrën e saj, e cila mori 1 mijë euro në emër të projektit AKEA./Demokracia.com/
Ish-zyrtarja e Vetëvendosjes përfiton nga subvencionet në Komunën e Gjilanit