Në raportin 24 orësh të policisë së Kosovës, thuhet se është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që ka kryer veprën penale të keqtrajtim apo braktisje e fëmijës.
“Referuar pamjeve të datës 22.06.2022 të shpërndara nga mediat e ndryshme ku shfaqej keqtrajtimi i një fëmije nga ana e një personi të dyshuar, policia menjëherë ka reaguar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore dhe operative me qëllim identifikimin të protagonistëve. Si rezultat i punës së pandalshme policore që nga shfaqja e pamjeve, sot është bërë i mundur identifikimi i protagonistëve të ngjarjes”, thuhet në një komunikatë për medie.
Ndërkohë në stacionin policor është shoqëruar i dyshuari i rastit, dhe policia në koordinim me prokurorin për të mitur ka iniciuar një hetim për rastin “Keqtrajtim apo braktisje e fëmijës” duke proceduar të njëjtin në fazat e mëtejme të hetimit, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.
“Së këndejmi policia e Kosovës është e përkushtuar që brenda mandatit të saj ligjor, të siguroj zbatimin dhe respektimin e plotë të të drejtave të fëmijëve dhe mbrojtjen e tyre nga abuzimi apo keqtrajtimi çfarëdo qoftë ai”, thuhet tutje në këtë komunikatë.
Ndryshe, Policia në raportin 24 orësh, thotë se kanë njoftuar organet kompetente.
“Lidhur me rastin është kontaktuar dhe QPS, në konsultim me prokurorin i dyshuari pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në raportin e Policisë së Kosovës.
Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në qytetin e Prishtinës.