Hajrullah Çeku është ministri më i ri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e së hënës kanë votuar qeverinë e re, në të cilën Çeku është propozuar për ta drejtuar MKRS-në.
Në pasditen e së hënës, pas shumë diskutimeve në seancë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Qeverinë e re të Republikës së Kosovës, me ç’rast kreu i LVV-së Albin Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit do të jetë e bashkuar, ashtu sikurse në qeverisjen e kaluar, derisa udhëheqja e kësaj Ministrie i është besuar Hajrullah Çekut, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Hajrulla Çeku ka studiuar Shkencë Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Qeverisje dhe Zhvillim Lokal në Universitetin e Trentos, Itali dhe Universitetin e Regensburgut, Gjermani.
Për 15 vjet ka qenë pjesë e shoqërisë civile i angazhuar në çështje të trashëgimisë kulturore, turizmit, planifikimit urban dhe mjedisit.
Hajrullau ka qenë i përfshirë në shumë nisma qytetare për mbrojtjen e strukturës urbane të qyteteve të Kosovës, si në Prishtinë, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Vushtrri dhe të tjera. Qasja komunitare dhe fuqizimi i grupeve të pambrojtura dhe pa zë kanë qenë shtylla të veprimtarisë së tij.
Ministrinë e Kulturës, të Rinisë dhe të Sportit në qeverinë e kaluar e ka drejtuar Vlora Dumoshi, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Shumë projekte ishin premtuar nga Dumoshi në infrastrukturën e futbollit e kosovar, ku në veçanti duhet përmendur ndërtimi i stadiumit nacional të Kosovës.
Ndonëse ende nuk dihet lokacioni i këtij stadiumi – në Drenas ose në Prishtinë, ky projekt i MKRS-së kap vlerën e 65 milionë eurove.
Përveç stadiumit nacional, Çeku do t’i ketë në tryezë edhe projekte të ndryshme.
Disa prej tyre janë zgjerimi i stadiumit “Fadil Vokrri”, aty ku aktualisht i zhvillon ndeshjet Kosova, si dhe ndërtimi i fushave ndihmëse në komuna të ndryshme të Kosovës. /Demokracia.com