Pasi të enjten dështoi miratimi i projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti, Lëvizja Vetëvendosje që nëpërmjet deputetëve të saj votoi kundër kësaj nisme, është deklaruar në një komunikatë të lëshuar në Facebook.
Nga ky subjekt politik nuk janë marrë me çështjen e Trustit që vazhdimisht kanë deklaruar se janë kundër, por kanë reaguar rreth pengimit të zgjedhjeve në fshatin Tërnoc të Bujanocit.
Sipas LVV-së, për t’u bërë deputet nëse je me kombësi shqiptare në Serbi të përsëriten zgjedhjet plot katër herë.
Ata thanë se sot, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u paraqit në samitin e vendeve të Ballkanit perëndimor në BE.
“Aty po kërkonte të ardhmen evropiane të Serbisë, teksa në Tërnoc, lokalitetit më të madh të Bujanocit, po pengohej mbajtja e zgjedhjeve për herë të katërt, ngase aty po kandidon një shqiptar Shaip Kamberit përballë Ivica Daçiqit, partisë së tij. Ky është një rekord tjetër i zi i Serbisë, udhëheqësit e së cilës kanë prodhuar vetëm në muaj e fundit një listë të gjatë të rekordeve të tilla”, thuhet në reagimin e LVV-së.
“Pse duhet të përsëritetn zgjedhjet katër herë në Tërnoc dhe të pengohet nga marrja e mandatit të deputetit Shaip Kamberi? Nuk ka tjetër përgjigje përpos që është shqiptar dhe që mban qëndrime që dënojnë krimet e luftës së Serbisë, mohimin e të drejtave të shqiptarëve aktualisht në Serbi dhe flet shqip në Kuvend kur i denoncon këto qëndrime të institucioneve të Serbisë”, thuhet tutje në komunikatën e LVV-së.
“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare, misionit vëzhgues të zgjedhjeve OSBE, Këshillit të Evropës e OKB-së që të sigurojnë proces të drejtë e demokratik dhe të mos lejohet deformimi i vullnetit politik të qytetarëve të Luginës. Këta dy ish-ministra të Millosheviqit nuk mundë të vazhdojnë me metoda të ish-shefit të tyre. Është e tmerrshme dhe e papranueshme që me metoda fashiste të shek. XX të luftohen shqiptarët edhe në dekadën e dytë të shek. XXI”, përfundon komunikata e partisë në pushtet.