Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot në Kuvend teksa po debatohej për tërheqjen e 30 për qind të kursimeve pensionale nga Fondi i Kursimeve, tha se populli i Kosovës nuk është ekspert.
Ai duke kundërshtuar kërkesën e qytetarëve të Kosovës për këtë tërheqje ofendoi popullin që e udhëheq dhe i cili e solli në pushtet, duke thënë se nëse populli është ekspertë çka na duhen universitetet.
Por, Kurti që erdhi në pushtet me populizëm, me premtime për barazi e mirëqenie, ia ktheu shpinën qytetarëve të tij, të cilët po përballen me krizë të rëndë financiare, me paga të vogla e çmime në qiell.
E Albin Kurti i djeshëm deklaronte ndryshe për Muratin, Fadilin e Hysenin e të gjithë muratët, fadilët e hysenët e Kosovës, shkruan Demokracia.com.
Hiq më larg se dy vite më parë, Kurti thoshte se shpresa e popullit është detyra e tij dhe se është një hap me popullin e tij.
Madje, ai thoshte se potenciali i popullit ishte më përpara se qeverisjet e kaluara.
“Shpresa e popullit është detyra jonë. Sot Kosova është një hap prapa popullit të vet. Ajo nuk është në ditët e saj më të mira, por populli ka shpresa më të mëdha se kurrë më parë. Shpresa e popullit është detyra jonë. Ne, të gjithë, kemi mospajtimet e dallimet tona, por si qeveri është koha të marrim vendime. Nuk do t’ju shmangemi përgjegjësive, por do t’ju bëjmë ballë atyre. Këto vendime do ta lartësojnë Kosovën në nivel me popullin e saj. Sepse, detyra e qeverisë është të jetë një hap me popullin, për çfarë i takon dhe e meriton ai. Fisnike e madhështore. E panënshtrueshme dhe e vendosur. Potenciali i popullit të Kosovës ishte shumë më para se kapaciteti i qeverive të deritanishme”, thoshte Kurti dikur, përcjell Demokracia.com.
Sipas tij, Qeveria e Vetëvendosjes do t’i realizojë kërkesat e qytetarëve të saj.
“Të rinjtë tanë tregojnë më shumë suksese jashtë se këtu. Kjo sigurisht që është e dhimbshme, por është edhe shpresëdhënëse. E dhimbshme, sepse ajo nuk po zhvillohet këtu e shpresëdhënëse se do të mund të zhvillohet edhe këtu”, shprehej Kurti.
E sot në Kuvend, Kurti tha se edhe pse nga populli burojnë ekspertët, populli nuk është ekspert.
“Më lejoni ta ripotencoj, populli nuk është ekspert. Nga populli burojnë ekspertët, por populli nuk është ekspert. Po të ishte populli ekspert, çka po na duhen ekspertët. Atëherë mos të shpenzojmë për universitetin, për shkollimin e lartë, për specializime të ndryshme, sepse nuk na vyen ekspertiza. E paskemi popullin, ekspert. Murati në Skenderaj, Fadili në Malishevë, Hyseni në Prishtinë, po i pyesim këta. Edhe po i mshelim universitetet dhe shkollimin e lartë, se popullin e paskemi ekspert. Kjo është gabim. Populli është burim sovraniteti. Populli është kuptimi dhe arsyeja e ekzistimit të politikës, por populli nuk është ekspert”, tha sot Kurti në Kuvend./ Demokracia.com/