Lajme
Memli Krasniqi për marrëveshjen për energji: Qeveria Kurti më në fund po e kupton që vendimet në të kaluarën kanë qenë në dobi të qytetarëve të Kosovës
Demokracia
17:13 | 21 Qershor 2022

Share:

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një prononcim para mediave sot gjatë vizitës që e pari në Viti, ka folur lidhur me çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, marrëveshjen e arritur sot në Bruksel për energjinë, mbledhjen e tetë të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë dhe vizitën e kryeparlamentarit Konjufca në Hagë.

Sa i përket marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë për energjinë, sot në Bruksel, Krasniqi kritikoi Qeverinë Kurti për zvarritje të këtij procesi për 7 vjet, duke thënë se Albin Kurti po e kupton që proceset politike të udhëhequra nga PDK dhe të tjerët në të kaluarën kanë qenë në dobi të qytetarëve të Kosovës.

“E shoh edhe si lajm i mirë edhe si lajm i keq. Lajm i mirë është se përfundimisht kryeminstri i Kosovës bashkë me këtë qeveri po e kuptojnë që ato që i kemi bërë në të kaluarën është në dobi të qytetarëve të Kosovës. Dhe e shoh si lajm të keq se kundërshtimi i tyre dhe pasiguria e tyre politike e kanë zvarritur procesin 7 vjet. Kjo është marrëveshje që e kemi diskutuar prej vitit 2015 kur e kemi nënshkruar dhe kur është miratuar dhe konsideroj që zbatimi i saj do të mundësoj integrimin e plotë të sistemit energjetik duke përfshirë edhe faturimin e drejtë. Shpresoj që detajet t’i japë qeveria dhe jo ne.”, tha lideri i PDK-së.

Krasniqi duke e konsideruar të padrejtë faktin që Kosova për një dekadë tashmë të vazhdojë të lobojë për liberalizimin e vizave korridoreve të Brukselit, tha se Qeveria Kurti duhet të angazhohet më shumë për finalizimin e këtij procesi

“Çështja e vizave është nga çështjet që unë mendoj se secili zyrtar i BE duhet të jetë i turpëruar në raport me Kosovën. Kjo është një temë që zhagitemi në korridoret e Brukselit më shumë se një dekadë. Dhe gjithmonë ekziston një arsyetim për ta penguar të drejtën e qytetarëve për të udhëtuar lirshëm në Zonën e Shengenit. Ka trajtim të pabarabartë në raport me Kosovën dhe është konsistent në asnjë agjendë nuk ka qenë e paraparë një gjë e tillë. Dhe konsideroj që është e padrejtë të ngriten shpresat dhe të mos merren vendimet. Besoj se i takon qeverisë të jetë më e angazhuar në këtë agjendë.”, tha ai.

Ai komentoi mbledhjen e mbajtur dje mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë , ku tha që raportet politike mes dy shteteve tona kurrë nuk kanë qenë më të ftohta.

“Ne kemi bashkëpunim me Shqipërinë dhe mendoj se mbledhjet e qeverive janë momentume të rëndësishme për të finalizuar bashkëpunimin mes dy vendeve, i cili fatkeqësisht në kuptimin e raporteve politike kurrë nuk ka qenë më i zbehtë, andaj pres nënshkrimin e marrëveshjeve përkundër faktit që janë marrëveshje të ricikluara.”

Krasniqi potencoi se shqetësimi që e ka shprehur kryetari i kuvendit është shqetësimi drejtë dhe të cilën e kemi shprehur edhe ne.”, theksoi Krasniqi.

Ndërsa, sa i përket shqetësimeve të shprehur nga kryeparlamentari Glauk Konjufca për shkelje të procedurave nga Gjykata Speciale ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë, Krasniqi tha se këto shkelje janë evidente.

“Kuvendi i Kosovës e ka themeluar Gjykatën Speciale e cila është votuar për diçka tjetër dhe tash po na del për diçka më ndryshe, sepse burimi i asaj ka qenë raporti i Dick Martyt, e sot ky raport nuk është në asnjë pikë të aktakuzës. Shqetësimet për të drejtat e njeriut janë evidente dhe unë besoj që duhet të adresohen edhe nga Ministrja e Drejtësisë edhe nga Kuvendi i Kosovës.”, shtoi Krasniqi.

Të ngjashme
Lajme • 20 Prill 2025