Plas sherri në mbledhjen e Bordit të RTK-së, ku duhej të votohej përfundimisht për Drejtorin e Përgjithshëm. Megjithë përpjekjet e mëdha të kryetarit të Bordit, Besnik Boletini, që ta zgjedh Drejtor të Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekajn, si duket disa anëtarë të Bordit nuk janë bindur.
Dje janë mbajtur intervistat e kandidatëve për Drejtor të Përgjithshëm dhe rezultatet e poentimit nuk kanë qenë të mjaftueshme që të sigurohen 8 votat e nevojshme për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm. Shkumbin Ahmetxhekaj mori pikë më së shumti nga 4 anëtarë të Bordit, derisa Arta Bajrami mori më së shumti pikë nga 3 anëtarë dhe i treti ishte Bekim Hasani i cili mori më së shumti pikë nga vetëm njëri anëtar i Bordit.
Sipas këtij poentimi, raporton gazeta new born, Bordi e ka të vështirë t’i sigurojë 8 votat e nevojshme për njërin kandidat. Pas poentimit, Bordi ishte mbledhur mbrëmë që të votojë për kandidatët, ashtu siç parashihet me ligj, por Besnik Boletini duke parë që nuk i ka bindur 8 anëtarë ta votojnë Shkumbin Ahmetxhekajn për Drejtor të Përgjithshëm, ka shtyrë votimin për një datë të pacaktuar.
Shtyrja e votimit do t’i shërbejë Besnik Boletinit që të ushtrojë presion te anëtarët tjerë të Bordit që ta votojnë Shkumbin Ahmetxhekajn për Drejtor të Përgjithshëm. Kështu thonë disa nga monitoruesit që e kishin përcjellur nga afër tërë procesin.