Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës protestuan të hënën e kaluar para Kuvendit të Kosovës, në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në rritjen e pagës minimale. Ata do të protestojnë edhe nesër, në leximin e dytë të Ligjit për Pagën Minimale.
Sipas Ligjit për Veteranët, shuma e pensionit të veteranit të UÇK-së nuk mund të jetë më e vogël sesa paga minimale e përcaktuar me ligj në Kosovë, që është prej 130 deri 170 euro, varësisht prej moshës.
Sipas të njëjtit ligj, pensioni i veteranit është prej 120 deri 250 euro, varësisht prej kategorisë, shkruan Demokracia.com.
Në kategorinë e parë është veterani i angazhuar nga viti 1991 deri më 5 mars 1998.
Kategoria e dytë është veterani i angazhuar pas datës 5 mars 1998 dhe kategoria e tretë është ai i mobilizuar pas datës 31 mars 1999.
Megjithatë, në projektligjin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për rritje të pagës (Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore) nuk është përfshirë edhe rritja e pensionit të veteranëve.
Projektligji parasheh ndryshimin e Ligjit për Veteranët, në atë mënyrë që “deri në kategorizimin përfundimtar të listës së veteranit luftëtar të UÇK-së, Qeveria e Republikës së Kosovës, me propozimin e Ministrisë përgjegjëse për financa, vendos për lartësinë e shumës së pensioneve të përcaktuara me këtë ligj, varësisht nga mundësitë buxhetore, kostoja e jetesës dhe inflacioni eventual”.
Sipas këtij projektligji, paga minimale do të rritet në 264 euro bruto apo 250 euro neto.
Por, sa paguhen veteranët në shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë dhe Kroacinë?
Ushtria dhe policia serbe kryen krime lufte në Kosovë deri në gjenocid, kurse të pensionuarit atje nuk njihen zyrtarisht si veteranë, shkruan Demokracia.com.
Oficerët serbë, përfshirë edhe ushtarët profesionalë, janë të organizuar në sindikata.
Në Serbi, ushtarakët janë pensionistët më të paguar nga të gjitha kategoritë, kurse pas tyre vijnë pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (policët).
Sipas një raporti të publikuar në vitin 2019, pensioni që marrin ish-ushtarakët në Serbi, sigurisht në mesin e tyre ka edhe kriminelë që kanë kryer krime lufte në Kosovë, është mbi 52 mijë dinarë (450 euro). Mirëpo, Serbia në vazhdimësi i ka rritur pensionet viteve të fundit dhe varësisht nga përvoja edhe janë rritur të ardhurat.
Vitin e kaluar, kategoria që përfitoi më së shumti nga rritja e pensioneve ishin pikërisht ushtarët serbë, duke përfituar rritje deri në 10 mijë dinarë dhe në total një ushtarak serb i pensionuar sot i merr mbi 530 euro në muaj.
Në shtetin mik të Kosovës, në Kroaci, veteranët e luftës paguhen në tri kategori të ndryshime. Veterani i kategorisë së tretë i merr 400 euro pension, kurse veterani luftëtar (kategoria e parë) rreth 750 euro, përcjell Demokracia.com.
Në Kroaci zyrtarisht janë të regjistruar 505 mijë veteranë.
Dhe kur bëhet krahasimi me Serbinë dhe Kroacinë, veteranët e UÇK-së marrin vetëm “social” dhe janë të sulmuar e nëpërkëmbur nga shteti. /Demokracia.com/