Pasuria e deputetëve të Vetëvendosjes është për t’u lakmuar nga çdokush. Ata nuk janë të varfër e as të barabartë më popullin, siç kanë dëshirë të krahasojnë vetën. Formularët e tyre në deklarim të pasurisë peshojnë miliona euro, duke dëshmuar se mbi vete kanë shtëpi, banesa, toka, vetura e para nëpër banka. Demokracia.com sjell me detaje pasurinë e secilit deputet të Lëvizjes Vetëvendosje.
Sicili më i pasur se tjetri. Dikush miliona euro në banka e vetura të shtrenjta e dikush tjetër shtëpi, banesa e prona të ndryshme. Kanë edhe mijëra euro kredi nëpër banka.
Kjo pak a shumë është pasuria që “deputetët e varfër” të Vetëvendosjes e kanë bërë publike.
Formularët e deklarimit të pasurisë që ata vetë i kanë plotësuar peshojnë miliona euro, shkruan Demokracia.com.
Kryeministri Albin Kurti, që është edhe kryetari i Vetëvendosjes, ka deklaruar që s’ka shtëpi të veten dhe banon me qira.
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, Kurti s’ka deklaruar asnjë patundshmëri në emër të tij. Ai banon në një shtëpi me qira, për të cilën ka thënë se paguan 250 euro në muaj.
“Banoj në shtëpi me qira, sipas kontratës të lidhur me qiradhënësin B.Z., në afat prej 3 vitesh me mundësi vazhdimi edhe për një afat shtesë prej 3 vite me kushte të njëjta, siç janë parashikuar në kontratë. Qiraja është në shumë prej 250 euro në muaj”, ka shkruar Kurti në fund të formularit të pasurisë.
Aty ka përmendur apartamentin e bashkëshortes së tij, që kushton 400 mijë euro. Për këtë apartament, Kurti ka deklaruar se bashkëshortja është në kredi në vlerë 290 mijë euro.
I pari i Qeverisë s’ka deklaruar as pasuri të luajtshme.
Por, merakli i patundshmërive po del të jetë kryeparlamentari Glauk Konjufca, që vjen nga Lëvizja Vetëvendosje. Ai vitin e kaluar ka deklaruar se ka blerë një banesë të re, në vlerë 44 mijë euro. Paratë për këtë banesë ka thënë se i ka marrë nga kursimet dhe kredia.
Konjufca ka edhe një banesë tjetër me sipërfaqe 99 metra katrorë. Këtë banesë që kushton 89 mijë e 100 euro, ai ka deklaruar se e ka blerë në vitin 2018, me kredi dhe kursime.
Tek patundshmëritë, Konjufca ka deklaruar edhe banesën e babait në vlerë 92 mijë euro dhe një shtëpi vikendi me tokë në vlerë 70 mijë euro, që thotë se e kanë në pronësi të përbashkët.
As Konjufca s’ka pasuri të luajtshme, shkruan Demokracia.com.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar të hyra vjetore nga Kuvendi i Kosovës në total 22 mijë e 337 euro e 54 centë.
Ndërsa, të hyra të tjera nga Kuvendi i Kosovës për udhëtime zyrtare ka deklaruar 823.50 euro dhe honorar 292 euro.
Kusari-Lila ka deklaruar të hyrat vjetore edhe të bashkëshortit, të cilat arrijnë vlerën 9 mijë e 107 euro e 10 centë nga KADC dhe 3 mijë e 191 euro nga Cacttosed.
Kurse të hyrat vjetore të fëmijëve, Kusari-Lila ka deklaruar bursën vjetore nga gjimnazi i specializuar matematikor në vlerë prej 1 mijë euro. Tek të dhënat e tjera, Kusari-Lila ka treguar se bashkëshorti i saj i ka tërhequr nga Trusti pensional 10% në vlerë 4,012.63 euro në janar 2021.
Kusari-Lila ka deklaruar pasuri të paluajtshme banesë 200 metra katror me vetëfinancim në vlerë 180 mijë euro, ndërsa shtëpi 100 metra katror të trashëguar në vlerë 65 mijë euro në pronësi të bashkëshortit.
Te pasuria e luajtshme, Kusari-Lila ka deklaruar Makinë GLK Mercedes, e financuar përmes kredisë bankare në vlerë 8 mijë euro nga bashkëshorti.
Kusari-Lila posedon edhe aksione në shoqëri komerciale MKL me kapital 1 mijë euro. Para të gatshme të mbajtura në institucione financiare, ajo i ka deklaruar 4 mijë e 969 euro në Bankën Ekonomike, ndërsa në TEB i ka deklaruar 4 mijë euro të tjera. Në Bankën Ekonomike ka deklaruar se bashkëshorti i saj i ka 620.41 euro, ndërsa në Bankën Ekonomike për njërin fëmijë i ka deklaruar 2 mijë e 199 dhe 2 mijë e 199 për fëmijën tjetër.
Kusari-Lila ka deklaruar detyrime financiare në vlerë prej 484 euro për konsum në kredit kartelë dhe 18 mijë e 25 euro kredi për renovim të banesës.
Kurse, deputeti Adnan Rrustemi ka treguar se në pronësi ka një banesë për 81 metra dhe dy parcela tokë, vlera e të cilave kap shumën e rreth 200 mijë eurove.
Ai posedon edhe një vetura, derisa ka në bankë edhe 3 mijë euro. Rrustemi ka deklaruar se brenda një viti ka mbi 23 mijë euro të hyra nga Kuvendi i Kosovës.
Ndërsa, deputeti i zëshëm i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka deklaruar si pronë të përbashkët dy banesa dhe një shtëpi vikendi, vlera e të cilave sillet në rreth 100 mijë euro, shkruan Demokracia.com.
Po ashtu, ai posedon edhe një veturë në vlerë prej 14 mijë eurove dhe si para të gatshme nëpër banka Bajqinovci ka treguar se ka afro 5 mijë euro.
Të hyrat nga Kuvendi i Kosovës janë mbi 23 mijë euro, kurse nga qiraje e një banese në Prishtinë ai i merr 2 mijë e 400 euro.
Deputeti i LVV-së ka treguar se ka një kredi prej 50 mijë eurove, por siç ka thënë tashmë i kanë 6 mijë euro për pagesë.
Artistja dhe deputetja Adriana Matoshi e ka deklaruar pasurinë e saj për vitin 2021 në Agjencinë Kundër Korrupsionit. Në formularin për deklarimin e pasurisë figuron se Matoshi s’ka asnjë cent në bankë, por as borxhe.
Shtëpia e saj ka sipërfaqe 66 metra katrorë dhe është nga viti 1957. Vlera e kësaj shtëpie, sipas saj, është 400 mijë euro.
Si pasuri të luajtshme, Matoshi ka deklaruar veturën e prindit në vlerë 3 mijë euro.
Të hyrat vjetore të Matoshit sillen rreth 20 mijë euro. Gati 16 mijë euro ka thënë se i merr si pagë nga Kuvendi, 1 mijë kompensim nga produksioni i serialit dhe 2 mijë e 513 nga lokali.
Ndërkohë, të hyrat e prindit të saj sillen rreth 7 mijë euro, të cilat i merr nga lokali i shtëpisë.
Kurse, deputeti Agon Batusha në deklarimin e tij të pasurisë ka treguar se ka shtëpi, banesë, dyqane e toka. Sipas tij, vetëm banesa dhe shtëpia kanë vlerë të mbi 100 mijë eurove.
Vlera mijëra euro kanë edhe tokat dhe dyqani, shkruan Demokracia.com.
Edhe kah vetura, Batusha nuk qëndron keq, pasi ai posedon një të tillë në vlerë mbi 13 mijë eurove.
Batusha ka aksione edhe në kompaninë “Kosova-D”, derisa ka treguar se ka edhe një kredi në vlerë të 46 mijë eurove. Të hyra vjetore ai ka deklaruar pagën nga Kuvendi, në vlerë prej 22 mijë eurove.
Më i pasur se Batusha ka dal të jetë Arbër Rexhaj, i cili ka treguar se ai dhe familja e tij kanë në pronësi shtëpi, banesë, tokë dhe disa parcela me mal.
Derisa në emër të bashkëshortes ai e ka deklaruar një veturë në vlerë të 12 mijë eurove. Pagë vjetore nga Kuvendi ka deklaruar se merr 22 mijë euro. Kurse, bashkëshortja merr pagë vjetore prej 7 mijë euro për punën që bënë në një bankë.
Edhe Rexhaj sikurse bashkëpartiakët e tij ka treguar se ka disa kredi së bashku me gruan dhe prindërit, ku vlera e tyre sillet në rreth 70 mijë euro.
Pasuri goxha te majme ka edhe deputetja Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, e cila ka treguar se brenda një muaji merr nga Kuvendi mbi 1500 euro. Si pronë të përbashkët ajo ka deklaruar se kanë një shtëpi dhe banesë.
“Të hyrat e mija total për vitin që shkojë janë diku rreth 21,000.00€, duke përfshirë këtu edhe mëditjet për seanca, shpenzimet e udhëtimit, kompensimet ditore si dhe kompensimet e tjera. Gjithashtu, ne kemi për obligim pagesën e një kredie të tërhequr disa muaj më parë në vlerë 3,000.00€. Kredia është tërhequr nga bashkëshorti nga Banka Ekonomike dhe obligimi mujor është 260.00 euro”, ka shkruar ajo në deklarimin e pasurisë, përcjell Demokracia.com.
Kurse, deputeti Ardian Gola ka deklaruar se posedon mbi vete një banesë prej 67 mijë eurove. Si pasuri të përbashkëta ka edhe shtëpi e lokal. Veturën që e ka blerë Gola në vitin e kaluar ka vlerën e 7 mijë e 500 eurove.
Ai ka edhe disa kredi në disa vlera të ndryshme. Si pagë nga Kuvendi ka treguar se merr mbi 13 mijë euro, por ka edhe disa mijëra euro shtesë si të hyra nga Universiteti i Prishtinës.
“Pas mandatit të deputetit, në përputhje me Ligjin për Zyrtarët Publikë jam detyruar të pezulloj vendin e punës si mësimdhënës me kontratë të rregullt në Universitetin e Prishtinës. Më pas, për shkak se Universiteti i Prishtinës ka pasur nevojë për mësimdhënës në lëndët të cilat i kam ligjëruar, jam kontraktuar me status të ‘bashkëpunëtorit të jashtëm’, kategori kjo ligjore e definuar me aktet e brendshme juridike të Universitetit”, ka treguar ai.
Ndërkaq, pasuria e deputetes Arijeta Rexhepi përbehet kryesisht nga trashëgimi që ka marr nga familja, shkruan Demokracia.com.
Kurse, si të hyra vjetore ajo ka deklaruar pagën nga Kuvendi në vlerë prej 18 mijë eurove dhe disa mijëra euro të tjera nga Kuvendi Komunal i Gjilanit.
“Me marrjen e detyrës së Deputetes jam tërhequr nga pozita e anëtares së Kuvendit Komunal dhe nga pozitës së mësimdhënëses. Pasuria e paluajtshme është pronë e përbashkët duke përfshirë edhe familjarët e bashkëshortit. Gjatë vitit 2021 kam pranuar remitenca në shumën prej 300€ si dhe nga masa 3.6 për kreditë kam pranuar shumën prej 200€”, ka thënë ajo.
Edhe Arjeta Fejza ka treguar se merr nga Kuvendi i Kosovës mbi 17 mijë euro si pagë vjetore. Kurse, si para të gatshme nuk ka më shumë se 1 mijë euro në bankë. Ajo posedon edhe një veturë në vlerë të 5 mijë eurove. Po ashtu, ajo ka deklaruar edhe një tokë dhe shtëpi si trashëgimi familjare, që kapin vlerën e mbi 30 mijë eurove.
Si informacion shtesë Fejza ka treguar që ka pranuar edhe disa para të imta.
“Me datë 04.02.2021 kam pranuar 100 euro si remitencë nga familjarët. Po ashtu me datë 02.02.2021 janë rikthyer 13 euro nga një kompani sigurimi për mosrealizim të një shërbimi. Sqarime shtesë: Am mbyllur kredinë me shumë 10.000 euro të përfshirë në deklarimin e kaluar, duke hapur një kredi tjetër me detyrime 10 vite dhe me shumë 15.000 euro, për përmirësimin e kushteve te banimit”.
Haki Abazi është një nga deputetët më të komentuar të Lëvizjes Vetëvendosje, për shkak të deklaratave të tij të shpeshta.
Në kuadër të pasurisë së paluajtshme, Abazi ka deklaruar arë të trashëguar në vlerë 75 mijë euro, banesë në vlerë 30 mijë euro, tjetër banesë me vlerë prej 120 mijë euro, si dhe shtëpi të përbashkët që arrin vlerën e 240 mijë eurove.
Po ashtu, Haki Abazi ka deklaruar katër makina, por vetëm njëra prej tyre është e deklaruar në emër të tij, shkruan Demokracia.com.
Vlera e makinës së tij kap vlerën prej 17 mijë euro.
E deputeti i LVV-së ka vendosur që shumë para t’i investojë edhe në kriptovaluta të llojit BitCoin. 250 eurot e investuara thuhet se janë nga paga e kursimet.
Sa i përket parave të gatshme të mbajtura në banka, ai deklaroi se ka 4 mijë e 900 euro në një bankë në Nju Jork.
Milioner është edhe deputeti Jahja Koka. Në deklarimin e fundit të pasurisë, Kokaj ka shënuar dy banesa, dy shtëpi, një dyqan dhe një bibliotekë, që kushtojnë mbi 1 milion euro.
Dy banesat e Kokajt kushtojnë 80 mijë, përkatësisht 85 mijë euro. Një shtëpi 160 metra katror e Kokajt vlerësohet 140 mijë euro, ndërsa një shtëpi me bibliotekë (480 metra katror), ka deklaruar se kushton 480 mijë euro.
Kokaj posedon edhe një dyqan prej 39 metrash katror të blerë në vitin 1992, që vlerëson se kushton 380 mijë euro.
Nga paga e djalit, Kokaj ka deklaruar se posedon një veturë në vlerë prej 2 mijë e 300 euro. Në fund, ai ka deklaruar se këtë veturë e shfrytëzon me autorizim të djalit të tij.
Kokaj i mban në bankë 8 mijë e 915 euro të gatshme, pa llogaritur 22 mijë e 618 eurot e regjistruara në bankë në emër të gruas së tij.
Pasurinë e paluajtshme, Kokaj ka deklaruar se e ka bërë prej punës së tij të mëhershme, ndërsa aktualisht deklaron të hyra vetëm nga pozita e tij si deputet. Nga Kuvendi, ai ka deklaruar se merr 25 mijë e 350 euro në vit.
Në fund, Kokaj ka deklaruar se para një viti e ka shkëputur “bashkësinë familjare me djalin”.
E keq me para, përkundër që i kishte mbetur borxh RTK-së në të kaluarën, nuk qëndron as deputeti i Vetëvendosjes deputeti Armend Muja, i cili ka deklaruar se posedon një banesë prej 60 metra në vlerë prej 35 mijë eurove. Kurse, vetura që posedon Muja ka vlerë 6,400 euro.
Muja ka të kursyera para në disa banka të Kosovës, ku shuma e tyre kap vlerën e mbi 15 mijë eurove.
Të hyra mujore, deputeti Muja ka 1 mijë 800 nga Kuvendi dhe 2 mijë e 250 euro nga universiteti “Riinvest”.
Deputetja tjetër e LVV-së, Arta Bajralija, ka treguar se vitin e kaluar ka blerë një veturë 10 mijë euro. Kurse, para në bankë ka veç 151 euro, derisa detyrime ndaj bankave si kredi i ka po ashtu 10 mijë euro.
Nga Kuvendi i Kosovës kjo deputete i merr fiks 23 mijë e 336 euro në vit, shkruan Demokracia.com.
“Përgjatë vitit 2021 në llogarinë time janë transferuar edhe 1,236.00€ remitanca nga vëllai i cili jeton në Zvicër”, ka treguar ajo.
Edhe Artan Abrashi ka treguar se vitin e kaluar ka blerë veturë të re në vlerë prej 11 mijë e 500 euro. Në bankë ai i ka të kursyera 2 mijë euro, por ka edhe kredi së bashku me gruan dhe familjarët mbi 40 mijë euro.
Si të hyra vjetore ka deklaruar pagën që merr nga Kuvendi në vlerë prej 22 mijë eurove dhe të bashkëshortes mbi 9 mijë euro.
E Avni Dehari vetëm nga puna në Zvicër që ka bërë gjatë viteve 1981/2001 ka deklaruar si të blera shtëpi, banesa, lokale e garazha në vlerë prej mbi 600 mijë euro. Ai ka një veturë të 5 mijë eurove. Kurse si të hyra ka deklaruar që merr pagë nga Kuvendi i Kosovës rreth 18 mijë euro në vit. Por, mijëra euro i ka të hyra edhe nga qiraja e lokaleve dhe pensioni nga Zvicra.
Deputeti Besim Muzaqi ka goxha pasuri të paluajtshme, pasi ka deklaruar toka bujqësore, male, livadhe e oborre më shuma qindra mijëra euro.
Ai posedon një veturë në vlerë prej 8 mijë eurove, derisa të hyrat vjetore nga Kuvendi i ka 16 mijë e 657 euro.
Ndërsa i pasur po del të jetë edhe deputeti Burim Meta, i cili ka deklaruar se ka dy banesa në vlerë prej 65 mijë eurove, ka toka dhe parcela të familjes dhe të vetat. Ai ka deklaruar se ka edhe mbi 12 mijë euro para në bankë.
Por, Meta që e ka shkurtuar mbiemrin e tij, nuk i ka punët mirë me kreditë në bankë, pasi që aktualisht ka borxhe prej 180 mijë euro.
Ai ka edhe monedha virtuale, që i ke deklaruar vetë.
“1. Është bër ndërrimi i mbiemrit nga Karameta në Meta (Posedojmë dokumentacion) 2. Sasia dhe lloji i kriptovalutave që posedoj janë: SHIB 24,139, 620. 85660849. XRP 329 55264873; ËIN 584,845. 140 37768; SC 15,163. 56094126; FTM 6.16087477; NFT 383,857. 23359555; SOL 1.14885; BNB 0,00158075”, ka sqaruar ai.
Ndërsa, deputeti Dimal Basha ka treguar se posedojnë bashkë me prindin apartamente dhe troje në vlerë prej 700 mijë eurove.
Po ashtu, ai ka deklaruar edhe dy vetura dhe stoli ari që kapin vlerën e 20 mijë eurove. Para të gatshme në bankë ka deklaruar se ka afro 2 mijë euro.
Paga nga Kuvendi i Kosovës, Basha ka treguar se merr 19 mijë e 989 euro në vit, shkruan Demokracia.com.
Deputetja Doarsa Kica-Xhelili ka treguar se posedon një veturë në vlerë prej 10 mijë euro. Kurse, në emër të bashkëshortit ka thënë se janë një shtëpi dhe një parcel që kapin shumën e mbi 60 mijë eurove.
Ajo ka treguar se ka të hyra nga Kuvendi i Kosovës 18 mijë e 124 euro në vit.
Driton Hyseni si deputet i LVV-së merr nga Kuvendi i Kosovës mbi 15 mijë euro vit. Por, siç ka deklaruar ai, së bashku më bashkëshorten në bankat e Kosovës kanë të kursyera mbi 70 mijë euro. Ai ka edhe një kredi në vlerë prej 85 mijë euro deri në vitin 2025.
Në deklarimin tek të dhënat e tjera ka treguar detaje mbi disa shpenzime dhe obligime.
“Për banesën numër rendor 2 , janë paguar 60,000 Eur, pjesa tjetër e projektuar të paguhet deri në vitin 2025. Banesa nr. 3 është në bashkëpronësi me dy vëllezërit e mi, pra 1/3 është në pronësi të deklaruesit. Me afat të pacaktuar kam huazuar te dy vëllezërit e mi shumën prej 40,000 Euro, për blerje patundshmërie. Gjatë vitit 2021 kam huazuar 1,500 Euro nga një mik. Jam garantues / bashkëhuamarres për një kredi një të afërmi, prej 10,000 Eur në vitin 2020, me kohëzgjatje deri 2024, obligimet kryhen rregullisht kredimarresi kryesor. Posedoj kreditkartele te TEB – Starcard, ne lejim tërheqje prej 2,500 Eur, e limit kartele 5,000 euro”, shkruan Demokracia.com.
Edhe deputeti tjetër i LVV-së, Eman Rrahmani, ka deklaruar se ka një banesë prej 150 metrave në vlerë prej 78 mijë euro. Si trashëgim ka edhe tokë bujqësore e garazhe, që kanë shumën e 11 mijë eurove.
Rrahmani ka treguar se ka aksione edhe në një market, për të cilin ka dhënë edhe disa detaje.
“Vlera e pagave të bashkëshortes nga Top Market prej 3600€ është kryer në vitin 2021 për 4 muaj punë të vitit 2020 të cilat nuk janë paguar. Kurse Top Market për vitin 2021 ende nuk ka bër pagesën e pagave mujore në vlerë prej 10800€. Banesa e deklaruar prej 150m2 në vlerë 78000€ ka qenë e regjistruar si lokal afarist, kurse është transformuar në objekt banimi ku tani jetoj në të”, ka sqaruar ai.
Në mesin e deputetëve me të ardhura të majme, përveç pagës së Kuvendit, është edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.
Dugolli, i cili është prej deputetëve më të zëshëm jashtë sallës së Kuvendit dhe ka arsyetim për çdo skandal të Qeverisë Kurti, përveç pagës së Kuvendit prej 19 mijë e 3 euro në vit, ka deklaruar se merr edhe pension vjetor nga Forca e Sigurisë së Kosovë në vlerë 10 mijë e 476 euro.
Deputeti i LVV-së, Enver Dugolli, i cili është shprehur kundër tërheqjes së parave nga TRUSTI Pensional, në vitin e kaluar ka tërhequr nga kursimet pensionale 2 mijë e 976 euro.
Pension të parakohshëm nga FSK, që dikur ishte edhe TMK, merr edhe gruaja e Dugollit që punon në PTK. Ajo merr pension 1 mijë e 957 euro nga FSK dhe pagë vjetore 7 mijë e 200 euro.
Në FSK atij i punon edhe një fëmijë, që merr pagë 9 mijë e 84 euro në vit.
Edhe Enver Haliti bën pjesë tek deputetët që mbi vete kanë shumë prona e banesa. Madje, sipas deklarimit që ka bërë Haliti, ai del të jetë deputeti që ka më së shumti toka bujqësore në pronësi. Vlera e tyre kalon shifrën prej 1 milion eurove.
Haliti është edhe aksionar në disa shoqëri komerciale, si Metacyp-Ks, Enha Profile dhe Agrofer.
“Toka bujqësore në pozicionet 7, 8, 9 janë prona në posedim nga pronarë të tjerë, por për arsye se ende nuk është bërë bartja në emër të tyre dhe ende figuron në emrin tim, unë i kam deklaruar. Toka bujqësore në pozicionet 10 dhe 11 janë prona në posedim, por ende nuk është bërë bartja në emrin tim. Çmimet janë paraqitur sipas çmimit aktual të tregut”.
Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka treguar se gjatë vitit 2014 me punë i ka blerë dy banesë më sipërfaqe prej 140 dhe 100 metra katrorë, vlera e të cilave kap shumën e 240 mijë eurove. Ai ka treguar se ka edhe disa prona të trashëguara në vlerë prej afro 500 mijë eurove.
Humolli posedon edhe një veturë në vlerë të 10 mijë eurove, shkruan Demokracia.com.
Ai është aksionar edhe tek tri shoqëri komerciale në vlera të ndryshme të parave.
Atlantic Capital Partners me 64.43 për qind të aksioneve, tek B&F SHPK me 50.00 për qind të aksioneve dhe Clirim Humolli me 100 për qind të aksioneve.
“Pasurit e paluajtshme 1,2 dhe 3 janë pasuri e përbashkët e trashëguar nga prindërit. Pasurit e paluajtshme 4 dhe 5 janë ne procedura te legalizimit. Aksionet ne shoqëritë tregtare janë rezultat i punës se përbashkët familjare. Krahas angazhimeve te lartecekur, jam gjithashtu pjese e Klubit te Shahut “Hyzri Talla”, dhe Karates Besa”, ka treguar Humolli tek rubrika me të dhëna të tjera.
Fatmire Kollçaku vitin e kaluar ka blerë veturë prej 12 mijë eurove, derisa ka thënë se një banesë prej 50 mijë eurove e ka donacion nga familja.
Po ashtu, ajo ka deklaruar edhe një pronë të përbashkët, shtëpi private 300.00 metra në vlerë prej 300 mijë euro. Në bankë ajo ka deklaruar se ka 3 mijë e 500 euro. Ndërsa, nga Kuvendi i Kosovës merr pagë vjetore në vlerë prej 21 mijë e 480 euro.
E Fitore Pacolli-Dalipi ka treguar se ka një banesë prej 80 metra katror, derisa ka thënë se është blerë përmes kredisë gjatë vitit 2013/2019 në një shumë të parave prej 60 mije euro. Një veturë prej 8 mijë e 500 euro e ka deklaruar si të blerë në vitin 2018.
Deputetja Pacolli-Dalipi ka treguar se ka në bankat e Kosovës edhe rreth 17 mijë euro të kursyera.
Nga Kuvendi merr pagë vjetore prej 23 mijë e 221 euro.
Pasuri dhe të hyra goxha të mira ka edhe bashkëshorti i saj, për të cilin i ka dhënë disa detaje tek rubrika të dhëna të tjera.
“Bashkëshorti është angazhuar me kontratë (honorar) në OJQ Volontari nel mondo RTM për shërbime projektuese arkitektonike. Sipas kontratës paguhet me ditë pune në vlerë 110 euro. Brenda periudhës së raportimit ka përfituar 5,000.00 euro. Bashkëshorti është përzgjedhur për mbështetje të dy projekteve, por që mbështetjen financiare e ka përfituar pas periudhës së raportimit: a. Ministria e Kulturës për projektin “Incizimi i Albumeve ROCK” e ka mbështetur me vlerë 3,500 euro, por alokimi i mjeteve është bërë me datë 16.05.2022. b. MANIFESTA e ka përzgjedhur për të mbështetur projektin e tij “Objectification of senses” me vlerë prej 10,000.00 euro. Alokimi i mjeteve bëhet në dy faza. Alokimi i mjeteve për fazën e parë (5,000.00 euro) është bërë pas periudhës së raportimit me datë 22.04.2022. Unë kam një kontratë pune të nënshkruar me Kolegjin Riinvest sh.a. me datë 20.10.2021, pozita ligjëruese. Sipas kontratës unë paguhem me orë pune. Por, nga periudha e nënshkrimit deri tek periudha e raportimit nuk kam përfituar asnjë të hyrë nga kjo kontratë”, ka sqaruar Pacolli-Dalipi.
Mirë me para dhe prona qëndron mirë edhe deputeti Fitim Uka, i cili ka deklaruar se gjatë vitit 2020 ka blerë një zyre prej 80 metrave në vlerë të 54 mijë eurove.
Uka ka deklaruar edhe një tokë pune në vlerë të 100 mijë eurove dhe shtëpi prej 75 mijë eurove.
Ai ka edhe një veturë në vlerë të 9 mijë eurove. Deputeti Uka ka treguar se ka aksione edhe tek ambulanca psikologjike “Empatia” dhe kopshti “Pathway”.
Si të hyra vjetore, Uka merr nga Kuvendi i Kosovës 21 mijë e 84 euro, derisa ka edhe mijëra euro të hyra nga honorarët dhe punët në fakultete dhe klinika.
Edhe deputeti Haxhi Avdyli nuk qëndron keq me pasurinë, pasi siç ka deklaruar ai vetë posedon dy vetura në vlerë të 36 mijë eurove. Njëra në emër të bashkëshortes dhe tjetra në emër të tij.
Në deklarimin e pasurisë figurojnë edhe tri prona të paluajtshme, si shtëpi, banesë dhe shtëpi malore, vlera e të cilave kap shumën e 370 mijë eurove.
Në banka para të gatshme në emër të vetin, Avdyli ka deklaruar se ka 16 mijë euro, kurse bashkëshortja 9 mijë euro.
Përveç të hyrave nga Kuvendi i Kosovës, Avdyli ka treguar se para merr edhe nga Spitali Amerikan dhe Spinal Center.
Kurse, deputetja Drita Millaku ka treguar se kanë prona të përbashkëta, shtëpi, tokë, mal me familjen në vlerë të 200 mije eurove.
Ajo posedon edhe një veturë që e ka blerë këtë vit në vlerë prej 8 mije eurove. Të hyra vjetore nga Kuvendi ka 17 mijë e 856 euro, por ka edhe një kredi prej 40 mijë eurove në një periudhë kohore prej 4 viteve./Demokracia.com/