Javën e kaluar, më saktë më 06 qershor, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zhvilluan një protestë përballë Kuvendit të Kosovës, ku kërkuan që të mos votohej Projektligji për pagën minimale përmes të cilit veteranët e luftës nuk do të përfitonin në rritjen e pensioneve.
Pavarësisht kësaj proteste dhe kërkesave të vazhdueshme nga përfaqësuesit e organizatave të ish luftëtarëve por edhe nga partitë politike, në Kuvendin e Kosovës, dy ditë më parë, u votua i njëjti Projektligj.
Ky votim ngjalli reagime të ashpra sidomos nga ana e veteranëve, të cilët Kuvendin e cilësuan si “Kuvend i turpit të Kosovës”. Po ashtu, në reagimin e organizatave të dala nga lufta, u paralajmërua protestë për ditën e nesërme.
“Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së, ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30”, thuhet në komunikatën organizatave të dala nga lufta.
Kjo protestë e paralajmëruar u përkrah nga shumë figura politike. Për këtë, lajmi.net, ka kontaktuar zëdhënësen e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi.
Kuçi, e konfirmoi se PSD-ja do të jetë pjesë e protestës për të përkrahur kërkesat e veteranëve.
“Patjetër që po. Ne e kemi postuar edhe në faqet tona zyrtare që kemi me marrë pjesë dhe kemi me e mbështet protestën e nesërme të veteranëve”, tha Kuçi.
Po ashtu, në paralajmërimin e organizatave të dala nga lufta, bëhet thirrje për dalje sa më masive në protestë, pasi që kjo sipas tyre, do të nënkuptonte mbrojtje të institucionit më të lartë, e që është lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj.