Secili kosovarë ndihet krenar me suksesin e Dua Lipës, këngëtares që e ka prezantuar Kosovën më së miri në të gjithë botën. Babai i saj, Dukagjin Lipa, i cili viteve të fundit i ka bërë vendit reklamën më të madhe me mbajtjen e festivalit “Sunny Hill”, është dëshpëruar nga Qeveria Kurti, për fitoren e së cilës u gëzua shumë.
“Sunny Hill Festival” është një prej organizimeve që ka bërë edhe mediat e huaja të shkruajnë për Kosovën, vendin e vogël që viteve të fundit priti shumë yje botërore, raporton Demokracia.com.
Ani pse nuk ishte konfirmuar ende zyrtarisht, këtë vit në Kosovë pritej që përveç artistit të njohur Diplo, të vinin për të përformuar edhe grupi i njohur Coldplay dhe diva e muzikës pop, Madonna.
Këta artistë të cilët i vlerëson gjithë bota, nuk do ta kenë mundësinë që të vijnë në Kosovë, për shkak se autoritetet e Kosovës kanë dështuar që t’i sigurojnë licencat për mbajtjen e festivalit.
Kështu, organizatori Dukagjin Lipa ka konfirmuar se festivali do të mbahet në Tiranë, duke ua nisur edhe një letër krerëve të shtetit, të cilët i ka konsideruar fajtorë për këtë dështim.
Lipa e kishte përkrahur Albin Kurtin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2019 dhe për fitoren e tij, ishte gëzuar shumë.
“Sot personi që udhëheqi protestën paqësore, u bë kryeministri ynë i ri. Shpresoj që të bëni një zgjedhje të udhur për koalicion. Çfarë dite. Erdhi dita”, kishte shkruar ai.
Veç kësaj, Dukagjin Lipa e ka vizituar në zyrë Albin Kurtin në shtator të vitit të kaluar, duke thënë se “ishte një takim nga i cili nuk dëshiroi të largohet”.
View this post on Instagram
Ndryshe, pas zhvendosjes në Tiranë, “Sunny Hill Festival” do të mbahet në datat 4, 5, 6 dhe 7 gusht.
Po ashtu, të gjithë personat që kanë blerë bileta, do t’i kenë ato të vlefshme, kurse ata që nuk mund të udhëtojnë për në Tiranë, do të mund që t’i rimbursojnë ato./Demokracia.com/