Lajme
Osmani: Të punojmë për integrim të natyrshëm të personave me sindromen ‘Down’ në shoqërinë tonë
Demokracia
16:09 | 21 Mars 2021

Share:

Ushruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani ka vizituar shoqatën Down Syndrome Kosova sot në Ditën Ndërkombëtare e Sindromës Down.

Osmani, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se Kosova të cilën e duam është Kosova në të cilën personat me Sindromën Down, siç shkruan ajo, ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe janë entuziast për të ardhmen, përcjell Demokracia.com.

“Jemi shumë më shumë të njëjtë se sa të ndryshëm. Pas një viti sfidues, përtej thirrjeve për mbajtje të distancës ne nuk kemi lënë gurë pa lëvizur që të mbesim të afërt e përzemërt me njëri-tjetri. Në po këtë frymë, të punojmë së bashku për t‘u siguruar që të mos presim nga të tjerët të ndryshojnë e t’i përshtaten masës, por të ndryshojmë̈ ne në mënyrë̈ që ata që sot ndihen ndryshe e të përjashtuar, nesër të ndihen të dëgjuar e të integruar”, ka shkruar Osmani.

Postimi i plotë i Osmanit, pa ndërhyrje:

Vizituam sot shoqatën Down Syndrome Kosova për të bashkëbiseduar me udhëheqësit e shoqatës, prindërit, e për të parë nga afër shërbimet që ofrohen aty për fëmijët dhe për të dëgjuar kërkesat për mbështetje institucionale. Kosova të cilën e duam është Kosova në të cilën personat me Sindromën Down ndihen të sigurt për të tashmen e tyre dhe janë entuziast për të ardhmen. E për të arritur këtë qëllim, së pari duhet të punojmë në vetëdijësim në mënyrë që përfundimisht të ndodhë integrimi i natyrshëm i personave me Sindromen Down në shoqërinë tonë.

Jemi shumë më shumë të njëjtë se sa të ndryshëm. Pas një viti sfidues, përtej thirrjeve për mbajtje të distancës ne nuk kemi lënë gurë pa lëvizur që të mbesim të afërt e përzemërt me njëri tjetri. Në po këtë frymë, të punojmë së bashku për t‘u siguruar që të mos presim nga të tjerët të ndryshojnë e t’i përshtaten masës, por të ndryshojmë ne në mënyrë që ata që sot ndihen ndryshe e të përjashtuar, nesër të ndihen të dëgjuar e të integruar.

Për sytë plotë jetë e buzëqeshjet më të dëlira, do jem gjithmonë mikesha juaj e përbetuar.

Muzika: Kori i Fëmijëve ‘Okarina’.

Video: Arban Osmani/Demokracia.com/

Të ngjashme