Krerët e opozitës, Memli Krasniqi, Lumir Abdixhiku dhe Ramush Haradinaj, morën ftesa nga presidentja Vjosa Osmani, që të marrin pjesë në manifestimin qendror në Bllacë për nder të 23 vjetorit të Ditës së Çlirimit.
Në e-mailet e dërguara nga Zyra e Presidentit drejt liderëve opozitarë bie në sy mbiemri i kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili është shkruar me shkronja të mëdha, ashtu siç duhet të shkruhen mbiemrat me protokoll zyrtar. Ndërsa, dy të tjerëve, Krasniqit dhe Haradinajt, mbiemrat u janë shkruar me të vogël, pasi që shkronjën e vetme të madhe e kanë shkronjën e parë.
Edhe pse i “privilegjuar”, as kryetari i LDK-së nuk e mori mundin që të jetë pjesë e manifestimit, ashtu sikur as Krasniqi dhe Haradinaj.
Po ashtu, në manifestim vërehet edhe mungesa e mbi 90 për qind e kabinetit qeveritar, pasi që rendin e parë e kanë zënë edhe këshilltarët politikë në mungesë të ministrave.
Demokracia.com sot ka publikuar edhe ftesën që u kishte shkuar ministrave nga kabineti i Kurtit, por nuk dihet arsyeja pse është injoruar kaq shumë nga të gjithë.