Deri vonë, vetëm kalimi i Albin Kurtit përreth varrit të Ibrahim Rugovës në lagjen Velania të Prishtinës, do të përbënte lajm. Për homazhe as që bëhej fjalë. Kryeministri aktual sikur e kishte vendosur që s’do të shkonte kurrë atje. Tani, kryeministri Kurti e quan president historik dhe thotë se nuk mund t’i paramendojë disa gjëra në politikë pa Presidentin Rugova.
As vdekja e Ibrahim Rugovës më 21 janar 2006 nuk i kishte mjaftuar Albin Kurtit për t’ia njohur kontributin Presidentit të parë.
Kur në sytë e shumicës Ibrahim Rugova ishte i pari që guxoi ta sfidonte Serbinë pas heqjes së autonomisë më 1989, Kurti nuk ngurronte ta thoshte të kundërtën.
“Ideja e Rugovës ka qenë të pengojë dhe të bllokojë çfarëdo dinamizimi të jetës dhe çfarëdo lëvizje çlirimtare, rezistence aktive”, pati thënë Kurti në një intervistë pas luftës.
Për të, Rugova ishte autoritar dhe i pasuksesshëm në politikë.
“Çfarë mendoj për Lidhjen Demokratike të Kosovës, mendoj atë çfarë kam menduar gjithmonë, duke qenë se Lidhja Demokratike e Kosovës në ndërkohë nuk ka ndryshuar. Unë nuk mendoj se ajo është lidhje demokratike. Ajo është një parti autoritare, e cila e ka në krye një njeri që 12 vite, Z. Rugova, i cili nuk është dëshmuar me suksese në politikë”, shprehej dikur kryeministri aktual.
LDK-ja, sipas Kurtit, ishte “peng i kryetarit të saj, Z. Rugova”. Ai thoshte se nevojitej një reformë në këtë parti dhe në vend të Rugovës, në krye të vinte dikush “i cili do të mund ta përparonte këtë parti”.
Ish-studenti mbeti po aq rebel edhe pak pasi partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje fitoi për herë të parë në zgjedhjet parlamentare në tetor të vitit 2019. Nevojitej një koalicion me LDK-në dhe gjatë negociatave, refuzimi i Kurtit për të bërë homazhe te varri i Ibrahim Rugovës pashmangshëm ishte bërë një çështje e diskutuar në publik.
Kur po afrohej 17 shkurti 2020, nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri, thoshte se kryeministri dhe anëtarët e qeverisë së re duhej të bënin homazhe te Presidenti Rugova.
Agjenda e asaj dite u prit me interesim të madh. Albin Kurti u përkul për herë të parë para varrit të Ibrahim Rugovës. Ishte si një çlirim i Kurtit nga ai presion i vazhdueshëm që rritej në çdo datë të rëndësishme për shtetin.
Kurti pati thënë se i vlerëson përpjekjet profesionale dhe insistuese të Rugovës për pavarësinë e Kosovës, teksa krah tij qëndronte Vjosa Osmani, partnerja e tij e koalicionit, atëherë kryetare e Kuvendit.
“Sot teksa shënojmë dhe festojmë përvjetorin e 12 të pavarësisë kujtojmë presidentin e parë të Kosovës të zgjedhur me votë popullore me 24 maj. Një dekadë më vonë në Kuvendin e Kosovës Rugova zgjidhet president i Kosovës kësaj radhë në Kosovën e çliruar. Në një ditë si kjo vlerësojmë përpjekjen insistuese dhe profesionale, angazhimin politik për lirinë dhe pavarësinë”, kishte thënë Kurti.
Një vit më vonë, Kurti shkoi sërish për homazhe te varri i Rugovës. E quajti “president historik”.
“Pas homazheve të Prekaz dhe në Gllogjan, bëmë homazhe te presidenti historik Ibrahim Rugova”, kishte thënë Kurti, duke folur më pas për “kontributin e tij përgjatë viteve të 90-ta, për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, që ishte i vlefshëm për ndërhyrjen e aleancës më të madhe ushtarake”.
Sot, në 23-vjetorin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, Kurti tha se nuk mund t’i paramendojë humanetin, durimin dhe qetësinë në politikë pa Rugovën.
“Nuk mund ta paramendojmë humanitetin, durimin, qetësinë në politikë, pa Presidentin Ibrahim Rugova, i cili para se të bëhej president për herë të parë këtu e 30 vjet më parë, ishte intelektual i angazhuar, racionalist, i cili me insistimin e tij dha kontribut të jashtëzakonshëm për ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare dhe të Kosovës, në veçanti në kohën e okupimit të egër të Serbisë, të apartheidit të regjimit të Millosheviqit që kulmoi me gjenocidin kundër popullit tonë”, tha ai.
Kurti sot ‘garantoi’ se “si institucione të Republikës së Kosovës nuk e harrojmë kurrë të kaluarën”. /Gazeta Express